Qytetarët kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie për zjarrin në Koçan

Qytetarët kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie për zjarrin në Koçan

Qindra qytetarë në Koçan të Maqedonisë së Veriut protestuan më 17 mars për të shprehur revoltën e tyre dhe për të kërkuar drejtësi pas zjarrit në klubin e natës “Puls” në Koçan, ku më 16 mars humbën jetën 59 persona, shumica prej tyre të rinj.

Duke u nisur nga ndërtesa e komunës drejt stacionit policor, një pjesë e qytetarëve hodhën gurë drejt kafenesë “Klasik”, e cila është në pronësi të të njëjtit person që ka në pronësi edhe klubin e natës “Puls”.
Protestuesit po ashtu hodhën gurë dhe vezë në drejtim të komunës, duke kërkuar nga kryetari i komunës, Ljupço Papazov – i cili më 17 mars dha dorëheqje të parevokueshme – të dilte që të përballej me ta.
“Kjo humbje është e jashtëzakonshme. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë dhimbjen që ndjejmë të gjithë. Ata fëmijë ishin fëmijët tanë. I njihja shumicën prej tyre, i njihja edhe familjet e tyre, me disa prej tyre ishim edhe miq familjarë. Shoku dhe thyerja që ndiej do të më shoqërojnë për gjithë jetën. Kjo tragjedi e ka zhytur Koçanin dhe Maqedoninë [e Veriut] në zi, ndërsa boshllëku që ka lënë është i pakalueshëm”, shkroi Papazov në Facebook.
Ai kërkoi që autoritetet të hetojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve, duke theksuar se është i gatshëm të bashkëpunojë me ta.
Ndërkaq, gjatë ditës, qytetarët bënë homazhe për viktimat në parkun e qytetit të Koçanit, ndërsa teksa ecnin nëpër rrugë brohorisnin “vrasës, vrasës, secili prej nesh mund të jetë i radhës, ejani rini, ngrini zërin”.
Në disa nga pankartat e tyre shkruhej: “Vrasja e të rinjve është vrasja e së ardhmes” dhe “Nuk vdesim nga aksidentet, vdesim nga korrupsioni”.
Në total, 59 persona humbën jetën në zjarrin e klubit të natës “Puls” në Koçan dhe të paktën 155 të tjerë u plagosën.
Për këtë ngjarje janë të dyshuar 23 persona, ndërsa 11 prej tyre ndodhen në paraburgim, teksa autoritetet kanë thënë se po vazhdojnë hetimet për këtë ngjarje. Pas zjarrit vdekjeprurës, Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli të dielën shtatë ditë zie./REL

Top Channel
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente