Profesori tregon se ku pritet të ashpërsohet Kodi: Dënimet me burgim mund të jenë pak më tolerante
Episodi i podcastit “Fol me Anila Hoxhën” në Top Albania Radio, projekt i qendrës “Fol” nën mbështetjen e zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në ambasadën Amerikane Tiranë, titullohet i “ Jo vetëm burg”.
Në këtë puntatë u trajtuan çështjet e opsioneve të dënimeve alternative.
Mungesës së një burgu të hapur që do të sillte aplikim për të dënuar që ndjekin shkollën, janë në pune, rrisin fëmijë apo kanë probleme familjare.
Megjithëse është eksperimentuar vitet e fundit , dënimet janë të pakta.
Burgu i grave në Shqipëri po diskutohet që të mbyllet dhe të kthehet në burg të hapur, ku do dërgohen shtetas të dënuar në gjysmë liri, pra ata qytetarë të gjendur fajtorë nga gjykatat, që ditën largohen për të punuar dhe në darkë kthehen në qeli.
Profesori penalist Skënder Kaçupi, anëtar i grupit të punës për Kodin e Ri penal që është amenduar 30 herë në pak vite jep risitë e propozimeve për kodin e ri.
Anila Hoxha: muajt e fundit aktorët janë përfshirë në diskutime për një kod të ri penal . Nëse do kemi një kod më të ashpër , apo jo është me ne një nga eksperetët që ka marrë pjesë në draftin, profesori i të drejtës penale Skënder Kaçupi. A do jetë më i ashpër Kodi I Ri?
Skënder Kaçupi: Jo,jo, më të ashpër.Por , unë mund të them që në 95′, u përpilua Kodi Penal që ne kemi në fuqi aktualisht . Keni parasysh që në atë periudhë ne kishim ndryshime rrënjësore në Shqipëri. Ishte i nevojshëm , ishte i domosdoshëm , të ndryshohej Kodi Penal i vitit 1977 . U ndryshua, u vendosën një seri dispozitash, të cilat nuk kishin ekzistuar më parë dhe u shfuqizuan disa dispozita që ishte e nevojshme, e domosdoshme që të ndodhte ky fenomen. Por, e vërteta është që në atë periudhë disa vepra penale të cilat më pas u vendosën në Kodin Penal në atë periudhë nuk u parashikuan, siç ishte për shembull droga, prostitucioni, trafikimet, të gjitha llojet e trafikimeve.Kështu, që më vonë u desh e nevojshme, e domosdoshme të ndërhyhej në Kodin Penal, por unë mund të them që ndërhyrjet janë të shumta, janë ndërhyrje ligjore, rreth mbi 30 e ca ligje, çka e bën të nevojshëm, të domosdoshëm, një Kod të ri penal.
Anila Hoxha: Kodi Penal ka ndryshuar për mbi 30 herë. Përse kaq shumë?
Skënder Kaçupi: Këto ndërhyrje ligjore në një farë mënyre kanë qenë edhe të nevojshme edhe të domosdoshme sepse në vitin 1995 nuk mund të parashikoheshin këto lloj veprash penale, të cilat më pas u bënë problem, në Shqipëri dhe që duheshin me doemos të sanksionoheshin nëpërmjet neneve të Kodit Penal.
Anila Hoxha: Sakaq, cilat janë risitë në Kodin Penal, në propozimet më të fundit?
Skënder Kaçupi: Unë i mëshoj shumë për shembull alternativave e dënimeve me burgim. Edhe në Kodin Penal ekzistues kemi patur disa të tilla, edhe në projektin e Kodit të ri kemi vendosur të tilla dhe për mendimin tim, vendosja e alternativave të dënimit është një domosdoshmëri.
Anila Hoxha: Ishte edhe një propozim tjetër i përpiluar në draftin e Kodit Penal, që lidhet me afishimin e dënimit edhe u diskutua deri diku, a po kthehen apo jo “fletë rrufetë” në aspektin historik të dikurshëm. Është deri diku një “fletë rrufe”, ajo kur njoftohet vendimi i gjykatës në qendrën e banimit?
Skënder Kaçupi: Jo, nuk është e tillë, për mendimin tim. Dikur, ne e kemi patur edhe në Kodin Penal të mëparshëm publikimin e vendimit gjyqësor. Edhe tani, unë mendoj që nuk është ashtu siç thoni ju me “fletë rrufe”. Është natyrisht, kur bëhet fjalë për vepra penale me rrezikshmëri të vogël shoqërore dhe mund të luajë rolin parandalues në realizimin e veprave penale. Prandaj, nuk është e tillë tanimë.
Anila Hoxha: Është propozuar gjithashtu një lloj tjetër dënimi alternativ, për shembull dënohesh me dënim plotësues, t’i shmangesh përdorimit të alkoolit, të shkosh në një qendër rehabilitimi e kështu me radhë.
Skënder Kaçupi: Në qoftëse një person ka kryer veprën penale si rezultat i përdorimit të drogës, një vepër me rrezikshmëri goxha të madhe për mendimin tim ai kërkon rehabilitim se s’bën.
Anila Hoxha: Kishit parashikuar në këtë draft të Kodit Penal edhe dërgimin në burg, kryesisht të të rinjve deri në 21 vjec gjatë fundjavës?
Skënder Kaçupi: Ose ose, në një rast tjetër ta zëmë kjo gjysëm liria, në qoftëse është një mjek dhe vuan dënimin në një vend të caktuar, komuniteti ka nevojë të domosdoshme për të, atëherë mundet që një pjesë të kohës ai të shkojë në komunitet të punojë atje, për komunitetin dhe pastaj të shkojë përsëri në vendin ku vuan dënimin.
Anila Hoxha: Cila do të jetë qasja e Kodit të ri Penal,në raport me krimet kundër shtetit, krimet kundër gjykatës, prokurorit, kundër mjedisit, natyrisht dhe kundër jetës dhe pronës deri tek prishja e rendit dhe kundravajtjet e natyrës, në dëm të jetës së kafshëve etj?
Skënder Kaçupi: Për të gjitha këto do ketë vepra penale pa dyshim. Unë kam mendimin që kryesisht për mjedisin dhe për kafshët duhet të ketë mbrojtje të vecantë. Unë kam mendimin që ne futemi tek vendet me dënime të ashpra sepse kemi dënime me burgim deri në 35 vjet maksimale ose dënim me burgim të përjetshëm, dënime shumë të ashpra. Por, mundet që në Kodin e ri të bëhet edhe ndonjë ndryshim lidhur me to.
Anila Hoxha: E keni fjalën edhe për dënimin e përjetshëm?
Skënder Kaçupi: Jo, e kam fjalën për dënime me burgim.
Anila Hoxha: Pra, do të jenë më tolerante?
Skënder Kaçupi:Po, mund të jetë pak më tolerant.
Anila Hoxha:Dhe kjo është një frymë e mirë?
Skënder Kaçupi: Po, mendoj që po.
Anila Hoxha: Për qytetarin, për rendin, për sigurinë?
Skënder Kaçupi: Po, për të gjithë.
Me një numër prej 191 të burgosurisht të përjetshëm, shumë të tjerë që presin gjykimin për vepra të rënda që nga vrasjet, organizatat kriminale trafiqet , korrupsioni deri tek kundravajtjet, është e qartë se pika e fundit e drejtësisë është momenti kur autorët jo vetëm përballen me gjykatën , por dënohen. Ashtu siç e rëndësishme është që veç këtij dënimi në burg ose jo, ata të rehabilitohen dhe do të mos kthehen në përsëritës.
Top Channel
Burimi