Policë të arrestuar për korrupsion, shpërdorim detyre apo drogë, Top Channel mëson se 240 punonjës policie janë referuar në Prokurori
Një inspektor i komisariatit nr. 5 në Kamëz u vu në pranga pasditen e kësaj të hëne, pasi u përfshi në një aksident në aksin Torovicë – Balldre dhe rezultoi se drejtonte makinën në gjendje të dehur.
Për 6 muajt e parë të këtij viti rezulton se në anën e kundër të ligjit kanë qenë 38 punonjës të strukturave të ndryshme të policisë të cilët janë arrestuar në flagrancë, ndaluar ose janë lënë në mase sigurie ndaluese. Rezulton se në 55% të rasteve të shqyrtuara nga AMP kanë qenë për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Po ashtu Top Channel mëson se janë kryer 151 referime penale në prokurori për 240 punonjës të strukturave të ndryshme nga policia e shtetit, garda e republikës dhe punonjësit zjarrfikës.
Mes të arrestuarve këtë vit është dhe Drejtor i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Ervin Muça, i cili u vu në pranga në prill të këtij viti si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.
Një hetim tjetër vuri në pranga 8 punonjës policie në Rinas pasi merrnin para për të kaluar persona të cilëve u ndalohej hyrja në zonën Shengen apo kalonin të mitur pa prokurën e njërit prind. Një tjetër rast ka qenë në Fier, ku një punonjës policie në Patos kishte përshtatur lokalin e tij për të shitur drogë, ndërsa në komisariatin nr 4 në Tiranë pak jave më parë u arrestuan 2 policë ku njëri njoftoi të afërmit se po hetoheshin për një parcelë kanabis ndërsa tjetri mori 500 mijë lekë për të lehtësuar situatën penale të një personi të kallëzuar për kanosje. Në Korçë u vu në pranga një eksperti i policisë shkencore Fatmir Balaj pasi kishte zvendesuar një usb e cila ishte provë për hetimin e një skeme mashtruese nga një call centre.
Top Channel
Burimi