Përgjimet që zbuluan abuzimin me fondet e BE, si u përfshi restoranti i Beqajt dhe faturat e “fryra”, Kurtulaj mblidhte “firmat”: Do e vesh në total 245 mijë euro
Top Channel ka mësuar të tjera detaje lidhur me dosjen hetimore të ish-ministrit Ilir Beqaj dhe personave të tjerë që lidhen me të dhe dyshohet se kanë përfituar nga fondet e BE, në kohën kur ai drejtonte SASPAC.
Në dosjen e siguruara nga Anila Hoxha, nga hetimet ka rezultuar ndër të tjera se personi që akuzohet së bashku me Beqajn dhe njihet si një nga njerëzit e afërt të ish-ministrit, Ermal Kurtulaj, është marrë më çdo detaj për të arritur në “rregullimin” e faturave fiktive dhe për të fryrë më pas çmimet për tenderin që është organizuar për një event që financohej nga SASPAC, por që fituesit ishin paracaktuar me kohë, dhe që restoranti që kishte bërë shërbimin ishte Gzona, i Ilir Beqajt.
Praktikisht eventi ishte organizuar në datat 3-5 prill 2023, ndërsa “vulosjet” dhe “firmosjet” për tenderin bëhen mes muajve qershor, korrik, gusht 2023, ndërkohë që do duhej të ishin bërë para eventit.
Ky i fundit, në një nga komunikimet që ka pasur me Gazmend Prengën, administrator i restorant Gzona, i shkruan se “Duhet bërë faturë për Landways pagese me bankë” “Sherbim catering ose shërbim restoranti si te duash 350 veta total 33,250 Euro pa tvsh”.
Në vijim, Gazmend Prenga i nis Kurtulajt faturën e bërë për Landways, me vlerë 4,189,500. Në vijim të bisedës Prenga i dërgon një foto me emrat e stafit ndërkohë Kurtulaj e udhëzon duke i thënë “ok bëji të gjithë, personel konferenca do e vesh në total, 245,000″.
Sipas hetuesve, këto komunikime japin të dhëna se marrëdhënia mes subjekti Gzona dhe kontraktuesit shoqërisë “Landways“, nuk ka qenë një marrëdhënie tregtare e zhvilluar natyralisht, por një marrëdhënie fiktive e cila është ndërmjetësuar, për të plotësuar dokumentacionin dhe faturat përkatëse, nga personi nën hetim Ermal Kurtulaj.
Hetuesit kanë sekuestruar në zyrën e Kurtulajt një dosje, në të cilën janë gjetur dokumente dhe shënime me shkrim dore që lidhen me këto tendera, për të rakorduar datat e ofertave, ardhja e tyre, si dhe lidhja e kontratës, nga të cilat kuptohet që dokumentacioni rezulton të jetë krijuar më vonë, konkluzion ky i mbështetur edhe nga bisedat e zhvilluara mes personave të përfshirë, të zhvilluara në periudhën kohore korrik 2023 dhe në vijim, të cilat qartësisht bëjnë fjalë për hartim, korrigjim, firmosje, protokollim të dokumentacionit mbi këto procedura prokurimi, të cilat logjikisht dhe sipas ligjit duhet të ishin zhvilluar para zhvillimit të eventit për të cilin janë prokuruar shërbimet/produktet objekt prokurimi dhe kontraktim.
Nga grumbullimi i fakteve gjatë hetime, ka rezultuar se dokumentet janë hartuar më vonë dhe procedura e tenderimit në fakt nuk është kryer fare por është plotësuar më vonë si e tillë, për efekt dokumentimi.
Pjesë nga biseda e Kurtulajt me një person, ku flitet për realizimin e dokumentacionit për tenderin në fjalë, pra në mënyrë fiktive, pasi eventi ishte organizuar disa muaj më parë nga sa rezulton biseda mes tyre: (A-Ermali)
B: Po Ermal?
A: Ça bën, si je?
B: Mirë, ça bën ti?
A: Mirë. A.?
B: Po.
A: Duhet të lësh dosjen me t’gjitha dokumentat. Dhe do t’i thush edhe O… që të dielën të dalë patjetër. Se ai të dielën do dalin n’zyrë dhe do firmosë. Çdo lloj letre që është.
B: Po, i nxorra se më tha.
A: Ee. Kshu që t’lutem do i thush edhe O.. se kam nevojë edhe unë t’jem. Do lajmërosh dhe A….
B: Okej.A: N’qoft se ashtu, që të jetë edhe A… të dielën.
B: Rreth ça ore?
A: Po se di tashi, do ta lajmëroj vetë, po do t’i thush që të rrijë këtu. Mos të jetë vonë.
B: Okej, thjesht po i them që të jetë në gatishmëri.
A: Mirë do ishte që edhe O… i financës n’qoft se është. Të dielën, meqë kto ditë e ka bo pushim, të dielën të vijë të shofi me mua se unë dua të bëj edhe ato, letrat për pagesat e faturave, kupton?!
//
Kurtulaj komunikon me Gazmend Prengën, administrator i restorant Gzona, ku i thotë ndër të tjera:
B: O Ermal?A: O Gazi, Landways-in e kena si klient ne të hapur? B: Po ere.A: E kena?B: Po. Kemi bo veprime herë pas here ne me Landways-in.A: Duhet me i bo i faturë Landways-it.B: I bone aty, atyre?A: Po.B: Po mirë, ta nisin. Ato, çaA: Ta nisi unë tashti ça se ça do shkrush.
B: N’rregull.
A: Domethënë do shkrush shërbim katering, është ajo eventi i turizimit që bomë te Pallati i Kongreseve.
B: Mi nis, mi nis ato edhe t’ia nis unë direkt.//
Ermali komunikon me Alfred Nikollën, drejtori ekzekutiv i shoqërisë Landways dhe ndër të tjera e pyet:
A: T’kisha shkrujt, a e vulose e firmose po zbres içik apo jo?
B: Po po, ja një minut. Erdha.
A: Eee?
B: Erdha erdha, sa e firmosa, erdha.
A: Të t’pres ktu apo të t’kaloj aty para zyrës?
B: Jo me, te TVSH-ja, erdha, 1 minutë. Më prit aty.
A: Hajde vlla. Ktu jam, t’lutem se jam shumë vonë.
B: Erdha erdha.
Top Channel
Burimi