Pas bumit të ndërtimeve dy vitet e fundit, ndërtuesit presin më pak shitje! Si do të ndikojë në çmimin e apartamenteve
Në Shqipëri po ndërtohet më pak. Pas bumit të ndërtimeve dy vitet e fundit në Tiranë dhe qytetet bregdetare, gjashtëmujori i parë i vitit po shfaq shenja ngadalësimi. Sipas anketës së besimit të bizneseve të BSH të qershorit, sektori i ndërtimit nuk është optimist.
Bizneset e ndërtimit në anketën e bërë tregojnë që këtë vit presin që numri i kontratave porositëse të pësojë rënie, një gjë e tillë do të ndikojë edhe në uljen e çmimit të apartamenteve. Agjentët e pasurive të paluajtshme thonë se pronat që kushtojnë 1.500 euro metri katrorë po blihen gjithnjë e më pak.
Ky çmim është tepër i lartë për familjet shqiptare, për këtë arsye u rrit kërkesa për apartamentet që ndodhen në periferi të Tiranës, ku çmimi për metër katrorë shkoi nga 1000 në 1200 metri katrorë. Një faktor tjetër që ka frenuar kërkesën lidhet me hetimet e SPAK. Sipas agjentëve imobiliarë, blerësit me të ardhura të rregullta hezitojnë të blejnë në pallate, ndërtuesit e të cilëve mund të jenë objekt i SPAK.
Ndërkohë që shqiptarët po blejnë më pak prona, nga ana tjetër janë të huajt ata që po blejnë prona në zonat bregdetare të vendit tonë.
Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se gjatë tremujorit të parë 2024, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 23%. Në vlerë, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme ishin rreth 84 milionë euro në tremujorin e pare me rritje 40%.
Në vitin 2023, sipas INSTAT, transaksionet e pasurive të paluajtshme arritën në 137 miliardë lekë, ose rreth 1.3 miliardë euro. Ky është niveli më i lartë i shitblerjeve i regjistruar ndonjëherë.
Top Channel
Burimi