“Nuk falim njeri”, kryeministri maqedonas premton dorë të hekurt kundër korrupsionit

“Nuk falim njeri”, kryeministri maqedonas premton dorë të hekurt kundër korrupsionit

Kryeministri maqedonas Hristijan Mickovski, paralajmëron luftë të ashpër kundër korrupsionit dhe reforma në gjyqësor.

Me marrjen e pushtetit pas vitesh të tëra në opozitë, Mickovski, i cili drejton delegacionin e Maqedonisë së Veriut që po merr pjesë në Samitin e NATO-s në Uashington, shfrytëzoi rastin të prezantojë disa tema të rëndësishme për Maqedoninë e Veriut me interes për rajonin e gjerë. Në ligjeratën e mbajtur në universitetin Johns Hopkins, ai deklaroi se nëse duan të ketë drejtësi duhet shkatërruar koalicioni mes disa politikanëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe elitës së biznesit.
“Ne duhet të ballafaqohemi me krimin dhe korrupsionin nëse duam të zhvillojmë shtetin tonë për brezin e ardhshëm. Ka një koalicion të madh ndërmjet elitave të caktuara politike, gjykatësve, prokurorëve dhe elitave të biznesit dhe ne duhet ta shkatërrojmë atë koalicion, nëse duam ta zhvillojmë shtetin tonë dhe nëse duam të sjellim drejtësi siç duhet të jetë. Në të kundërtën, do të dështojmë si të gjithë paraardhësit tanë dhe do të humbasim”, deklari Mickoski, që nuk la pa përmendur  edhe çështjen më të nxehtë për reforma në gjyqësor, shpërndarjen e Këshillit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Për këtë nismë të kryeministrit, ai u përplas me ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së në vend, të cilët deklaruan se me këtë, pushteti ekzekutiv përzihet në punët e pushtetit gjyqësor. Mickoski insiston se në këtë mënyrë parashikohet të parandalohet ndikimi dhe nepotizmi në procedurat për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ndërsa foli edhe për fillimin e negociatave për anëtarësimin e RMV-së në BE, duke theksuar se nuk ka garanci për një kërkesë përfundimtare në bisedimet me Bullgarinë.

Top Channel
Burimi