Në kujtim të martirëve! Përkujtohen 116 të vrarët në fshatrat e Vushtrisë në Kosovë
“Një ditë” mund të ndryshojë jetën. Dita e 2 majit të vitit 1999 ndryshoi jetët e qindra shqiptarëve të Studimes së Vushtrrisë dhe fshatrave përreth.
Në më pak se dy orë, atë ditë, forcat serbe vranë 116 shqiptarë.
Dita e përjetimeve të tyre është shtrirë në një labirint që nis mes dritë e përfundon në terr, për të treguar traumën e të gjithë të mbijetuarve.
Përjetimet e Bahrije Gërxhaliut që humbi djalin, bashkëshortin e familjarë të tjerë, janë boshti i kësaj ekspozite.
“Kanë kërkuar para, unë nuk ju kam dhënë, ma kanë marrë nga prehri dhe me një dhimbje të tillë prej nëne për një fëmijë, nuk kam zbrit me marrë vajzën, jo nga frika që më vrasin, por e dimë të gjithë se çka kanë bë e çka janë në gjendje me bë, unë për ata nuk kam zbritë, edhe falë zotit, gjindshmërisë së një fletë libre, sot e kam vajzën.
Përtjet përjetimeve të të mbijetuarve të masakrës së Studimes, përmbanë dokumentimet e vrasjeve, torturave e zhdukjeve në të gjithë territorin e Kosovës.
“Është diçka që na kthen në histori, që dokumentohen përjetimet tona të cilat i kemi pasë dhe vujtë si qytetarë, si njerëz, mbi të gjitha kur në atë kohë nuk jemi cilësuar si njerëz, kjo ekspozitë e dëshmon dhe fakton përjetimet e secilit ku kemi mbijetuar”-shprehet Arton Ademi – i mbijetuar i masakrave në Shtuticë.
Kuratorja e ekspozitës “Një ditë”, Blerta Hocia, thotë se qëllimi kryesor është që secili të ketë mundësinë të ecë nëpër përjetimet dhe traumën e shqiptarëve që i mbijetuan luftës së Kosovës.
“Ideja e kësaj ekspozite ka qenë që, jo vetëm të flasim për ngjarjet e luftës dhe viktimat, por edhe për traumën që ka shkaktuar, sepse u përket të gjithëve, jo vetëm atyre që e kanë përjetuar në mënyrë direkte.”
Në labirintin e ekspozitës, llamarina simbolizon ujin e një përroi, që ndjek rrjedhën nga Studimja e Epërme në Studimen e Poshtme derisa ngërthen në vete të mbijetuarit dhe bëhet dëshmitar i ngjarjeve të 2 majit të vitit 1999.
Top Channel
Burimi