Megaoperacioni i SPAK, mes të arrestuarve edhe Bujar Shega, “krahu i djathtë” i të shumëkërkuarit Suel Çela

Megaoperacioni i SPAK, mes të arrestuarve edhe Bujar Shega, “krahu i djathtë” i të shumëkërkuarit Suel Çela

Pas një operacioni të nisur prej ditës së djeshme, SPAK njoftoi se ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona, ku përfshihen anëtarët e  organizatës kriminale, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyre gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.

Masat e sigurisë u lëshuan për si më poshtë: Arrest me burg për 18 persona (përfshire ish gjyqtarin dhe zyrtarin e lartë të policisë së shtetit); Arrest në shtëpi për 1 avokat; Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore për 2 gazetarë.
Mësohet se nga 18 urdhër arrestet janë ekzekutuar vetëm disa prej tyre, ku në mesin e të arrestuarve, është Marsel alias Bujar Shega, i arrestuar në Milano. Ai është administrator i dy kompanive dhe i njohur si një nga njerëzit e afërt të të shumëkërkuarit Suel Çela, ku i fundit i shpallur me herët në kërkim në kuadër të operacionit Plumbi i Artë.

Bujar Shega rezulton të jetë një ndër përfituesit e rregullt të tenderave qindra miliona lekë. Sipas një denoncimi të një viti më parë, Bujar Shega rezulton të ketë kërcënuar edhe administratorin e universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan për të përfituar një tender në rikonstruksionin e godinave. Sipas një raportimi të Ina Media, përfitimet e Bujar Shegës nga tenderat e pushtetit lokal vinin nga lidhjet e tij me Suel Çelën në Elbasan.
Njoftimi i SPAK: 
Në kuadër te hetimit të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, me kërkesë të Prokurorisë se Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona, ku përfshihen anëtarët e organizatës kriminale, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyre gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.
Masat e caktuara të sigurisë janë si më poshtë: Arrest me burg – 18 persona (përfshire ish gjyqtarin dhe zyrtarin e lartë të policisë së shtetit); Arrest në shtëpi – 1 avokat; Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore – 2 gazetarë.
Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë i cili po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane, është në vijim.
Me qëllim ruajtjen e integritetit të këtij operacioni, Prokuroria e Posaçme do të publikojë më shumë të dhëna rreth këtij hetimi ditën e nesërme.
 

Top Channel
Burimi