Kuvend të përbashkët Shqipëri-Kosovë/ Kryeparlamentarja Spiropali viziton Kosovën, takime me Konjufcën dhe Kurtin
Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Eliza Spiropali dhe homologu i saj në Kosovë Glauk Konjufca përcollën me forcë pas takimit të tyre në Prishtinë mesazhin e përbashkët se nuk ka ngrirje të raporteve mes dy vendeve.
Kosova, tha Spiropali, është prioritet kombëtar i Shqipërisë, e përcolli bindjen se për të, do të ketë dritë në fund të tunelit në procesin e dialogut.
“Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë. Për Shqipërinë dhe Kosovën, bashkëpunimi është një prioritet i pandashëm. Është një binom stabilizues dhe orientues për të nesërmen tonë por edhe për të gjithë rajonin. Me kryetarin Konjufca ndamë të njëjtën bindje që ne si kryetarë të parlamenteve të ju sugjerojmë qeverive tona një konkretizim më të detajuar të partneritetit strategjik e gjithëpërfshirës duke bërë atë një model inkurajues për bashkëpunimin rajonal ndërshqiptar e më gjerë”, thotë Spiropali.
Kryeparlamentari Konjufca u shpreh nga ana e tij se qytetarët e Kosovës nuk e shohin Shqipërinë si shtet fqinj, por si shtet amë.
“Unë nuk mendoj që asnjëherë ne kemi pasur ndonjë një ngrirje mes Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës. Ne si përfaqësues të institucioneve gjithmonë kemi qenë në nivelin e detyrë, mundësisht për ta transmetuar një ndjenjë, e cila është shumë e thjesht dhe është mes popujve tonë, kjo është ndjenja e dashurisë, e vëllazërisë, një ndjenjë shumë e afërt të cilën mund ta ketë një popull mes vete. Kështu kanë vepruar unë mendoj edhe qeveritë dhe nëse ju dëshironi që ndonjë një mos pajtim eventual të kryeministrave apo të qeverive ta paraqisni si diçka që reflekton marrëdhëniet e dy shteteve, unë mendoj që kjo nuk qëndron fare”, shton Konjufca.
Spiropali u takua më pas edhe me kryeministrin Albin Kurti. Kryeparlamentarja ka përcjellë në Prishtinë bindjen se aplikimi i Kosovës për në BE duhet të shqyrtohet me seriozitet për t’i dhënë asaj perspektivën e integrimit në BE ashtu siç edhe Kosova meriton të njihet si shtet i pavarur e t’i njihet territori dhe të mos cenohet.
Top Channel
Burimi