Kisha Katolike kundër Surrogacisë, kërkon zyrtarisht shpjegime nga Parlamenti shqiptar

Kisha Katolike kundër Surrogacisë, kërkon zyrtarisht shpjegime nga Parlamenti shqiptar

Ndonëse me shumë kundërshti projektligji mbi shëndetin seksual e ripodhues ka mbërritur tanimë në Kuvendin e Shqipërisë.

Kisha katolike dhe besime të tjera bashkë i kërkojnë Kuvendit që  t’i vënë në dijeni cilët janë deputetët nismëtarë  të këtij projektligji pasi sipas tyre ky projektligji synon të përligjë mëmësinë dhe fëmijët surrogatë të promovojë abortin tek moshat e reja, madje edhe pa dijeninë e prindit  dhe mbi të gjitha lejon tregtimin e trupit të gruas   duke përmbysur institucionin e martesës.
“Kisha katolike në Shqipëri, së bashku me konfesionet dhe besimet e tjera, ka kërkuar zyrtarisht nga Kuvendi i Shqipërisë, si instancë ku është depozituar projekt-ligji dhe ku ai pritet të diskutohet, që të bëjë transparencë të plotë, në emër të së drejtës së informimit dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, mbi motivet e mirëfillta etike, synimet, nismëtarët dhe hartuesit e këtij dokumenti.

Gjithashtu, Kisha katolike, e gatshme që të kontribuojë në diskutim me vërejtje objektive, kërkon të dëgjohet në nivelin e përshtatshëm institucional dhe bën thirrje që Kuvendi i Shqipërisë, por edhe Qeveria, të krijojnë sa më parë kushtet për një debat publik të vërtetë mbi një projekt-ligj që rrezikon të impaktojë në mënyrë të pakthyeshme marrëdhëniet shoqërore, konceptet etike dhe antropologjike që janë në themel të bashkëjetesës sonë, të drejtën themelore të familjes, integritetin dhe dinjitetin e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë dhe të ardhmen e fëmijëve shqiptarë”, Mark Pashkja, zëdhënës i Kishës Katolike.
Kisha katolike kërkon që  të bëhet i mundur debati ndërmjet shoqërisë civile, grupeve të interesit institucioneve e fetare dhe mediave në lidhje me këtë projektligj i cili përmban çështje sensitive.
“Për sa kohë shmanget një proces i tillë i domosdoshëm dhe nismëtarët e hartuesit e tij nuk marrin përgjegjësinë që po aq haptazi të shfaqen dhe të marrin përsipër nismën e tyre, projekt-ligji në fjalë rrezikon të shndërrohet në një diktat dhe në një provokim, në shembullin e parodisë së “celebrimit të martesës” mes dy personave të së njëjtës gjini, që në shpërfillje dhe në shkelje flagrante të ligjeve të Republikës, e për skandalin e institucioneve të shtetit, gjeti pikërisht strehë nën to, ndërkohë që përgjegjësia e aktit të shëmtuar mbeti jetime. Sakrifikimi i një procesi të tillë përmes kalimit forcërisht e në heshtje të një axhenë të caktuar, do të ishte dëmi më i madh që mund t’i bëhej vendit”, shprehet ai.
Kisha Katolike u bën thirrje institucioneve dhe mbarë opinionit publik, që ta mbrojnë nga asgjësimi të drejtën një procesi ligjvënës të drejtë, objektiv, transparent dhe gjithëpërfshirës.

Top Channel
Burimi