“Kemi gjet vrasëse mizash në sallë kirurgjie”, seanca për “Sterilizimin”, dëshmon Klodian Rrjepaj: Nuk jam mashtrues, s’ka prova! (Dëshmia)
Ish-zv.ministri i shëndetësisë Klodian Rrjepaj ka nisur deklarimet e tij në seancën paraprake të mbajtur ditën e sotme në lidhje me sterilizimin.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, raporton se pasi mbaroi fjalën ish-ministri Ilir Beqaj, ka folur Rrjepaj.
“Kam bërë më të mirën e mundshme. Ndryshuam rrënjësisht sistemin e sterilizimit. Ishte inovacion dhe për këtë shkak çdo gjë po krijohej nga e para. Rruga ishte e pashkelur. Prokuroria nuk ka sjellë ende një bilanc për sterilizimin, cila është e mira dhe e keqja e sterilizimit. Prokuroria ka marrë vetëm anën negative dhe nuk ka bërë bilanc për anën pozitive. Nuk jam mashtrues”, ka deklaruar ai, siç raporton Anila Hoxha bazuar në të pranishëm në këtë seancë me dyer të mbyllura.
Më tej në dëshminë e tij, ai ka vijuar: Akuzohem edhe për mashtrim, unë mashtrues, nuk ka asnjë provë dhe dokument qe të tregojë dokumentet e falsifikuara. Përkundrazi dhe prokurori nuk i pretendon të falsifikuara e megjithëkëtë ngre akuzë për falsifikim. Interpretimi i provave , është çështje këndvështrimi. Kurrsesi nuk është falsifikim dhe mashtrim. Kostot janë më të ulëta se referenca ndërkombëtare. PPP është zgjidhja më e mirë si referencë ndërkombëtarë por edhe për situatën ku ndodhej Shqipëria në 2013.
Më tej Rrjepaj bëri një krahasim.
“Në një sallë kirurgjikale në një vend të BE u pa një mizë. Dhe e dini çfarë ndodhi? Për tre ditë u ndërprenë ndërhyrjet në këtë sallë derisa të analizohej siguria e sallës për sa i përket rrezikut për infeksion…. Ndërkohë në Shqipëri në kohën e studimit ne kemi gjetur vrasëse mizash në salla kirurgjikale”, ka thënë ai.
Top Channel
Burimi