Kanabisi do rikthehet në Lazarat, pjesë e 10 zonave ku do të kultivohet për qëllime mjekësore

Kanabisi do rikthehet në Lazarat, pjesë e 10 zonave ku do të kultivohet për qëllime mjekësore

Parcelat me kanabis do të rikthehen në Shqipëri, por këtë herë jo për qëllime kriminale, por mjekësore.

Sipas ligjit, në gjithë vendin do të jenë 10 zona ku do të lejohet kultivimi i kësaj bime në mënyrë të kontrolluar. Një prej tyre është edhe Lazarati.
Zona e Gjirokastrës, sipas ekspertëve, është e përshtatshme për rritjen e kësaj bime, ndërkohë që Lazarati ka traditë në këtë drejtim.
Fshati i madh, afër Gjirokastrës, u bë arenë e aksionit më të madh policor në vitin 2014, kur u mor vendimi për të shkatërruar të gjitha të mbjellat me hashash.
Në aksion mbeti edhe një punonjës policie i vrarë, dhe dhjetëra banorë u arrestuan, disa u dënuan për krime të ndryshme. Rikthimi i kanabisit në Lazarat tani bëhet me qëllime krejtësisht të ndryshme. Ngritja e parcelave të kanabisit mjekësor ka disa kërkesa.
Ilir Kristo, Pedagog UBT: “Një kusht tjetër që ka kanabisi është që kërkon shumë ujë dhe sigurimi i burimeve nënujore është një kusht i tretë për kultivimin e tij. Për sa i përket zonave, ato që janë më larg bujqësisë intensive janë në Gjirokastër, zonën e Fierit, Korçës dhe Malsisë së Madhe.”
Toka ideale për kanabisin janë ato që janë të pasura me ujë dhe diell, ndërsa tokat argjilore nuk janë të mira për këtë bimë.
Ilir Kristo, Pedagog UBT: “Për sa i përket kushteve tokësore, kanabisi ka një kërkesë për toka të kulluara, toka të kenë ajër për sistemin rrënjor dhe ujë që të mos zërë të gjithë vëllimin e tokës. Rreth 65-70% e tokave janë të përshtatshme për kultivimin e kanabisit. Pavarësisht se si përkthejmë në vlera tokësore, kjo do të thotë afërsisht 400 mijë ha tokë të përshtatshme për këtë bimë.”
Dy laboratorë do të garantojnë cilësinë e bimës, ndërsa i gjithë prodhimi do të shkojë për industrinë e prodhimit të ilaçeve.

Top Channel
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente