“Ju flet Kosova e lirë”/ Radio në Malishevës, zëri i luftëtarëve të lirisë që u mbijetoi bombardimeve serbe
“Ju flet Kosova e Lirë… Ju flet Kosova e Lirë”-Nysret Pllana.
Që nga ora 16:00 e katër janarit të vitit 1999, nga Malet e Berishës, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nisi transmetimin radio Kosova e Lirë.
“Ka qenë zë shprese, zë lirie, zë kushtrimi për të iu bashkangjitur djemve dhe vajzave tonë“, tha Nysret Pllana-gazetar, radio “Kosova e Lirë”.
Çdo ditë, që nga ajo kohë, gazetarët e “Kosovës së Lirë”, përgatisnin edicionin e lajmeve në shtëpinë e Asllan Berishës, në fshatin Berishë të Malishevës.
Nën sulmet e pandërprera të ushtrisë serbe, që lanë edhe viktima, ata kërkonin pikën më të mirë të transmetimit.
“Ata na bombarduan edhe me aeroplan MIG, më 27 mars, tre ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s dhe për fat të keq ato bomba e mbytën djalin Elbasan Jakup Berishën e u plagosën dhjetëra të tjerë. Për mrekulli ne shpëtuam, pasi ishim cak”, u shpreh ai.
Të prekur nga kjo fatkeqësi dhe sulmet e pandërprera të serbëve, nëntë anëtarët e radios, mbi fshatin Berishë, për një javë rresht ndërtuan bunkerin nga ku do të raportonin nga 8 prilli.
“Për çdo ditë janë pozicionuar te kryqi i Komoranit dhe kanë ardhur nga kazerma “Marshall Tito” e Prishtinës, me armatim të rëndë dhe pak sekonda ose një minutë para orës 16:00 ata kanë filluar të na gjuajnë dhe për fat për pak metra nuk na kanë qëlluar”, vijoi më tej Pllana.
Më 21 qershor 1999, radio “Kosova e Lirë” nga bunkeri mbylli transmetimin e saj me lajmin që të gjithë shqiptarët e Kosovës e kishin pritur.
“Arritëm që nga ky bunker të japim lajmin më të rëndësishëm ndonjëherë. është emocion që nuk përshkruhet me fjalë”.
“Dëgjuam shënimin politik, “Nga Kosova u largua anti-historia” dëgjues të dashur të Kosovës së Lirë, mirë u dëgjofshim në Kosovën e fitoreve të reja”.
Top Channel
Burimi