“Jemi plotësisht të përkushtuar për dialog konstruktiv me SHBA”, Zelensky: Ukraina do paqe, shpresoj të biem dakord

“Jemi plotësisht të përkushtuar për dialog konstruktiv me SHBA”, Zelensky: Ukraina do paqe, shpresoj të biem dakord

Presidenti Volodymyr Zelenskiy tha të shtunën se Ukraina është “plotësisht e përkushtuar” për një dialog konstruktiv me përfaqësuesit amerikanë në Arabinë Saudite javën e ardhshme mbi rrugët për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Që kur mori detyrën në janar, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ndërprerë ndihmën ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, si dhe shkëmbimin e informacionit të zbulimit me Kievin.
Ai e ka akuzuar zotin Zelenskiy se nuk është serioz për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, e cila filloi agresionin ndaj Ukrainës tre vjet më parë dhe ka nën kontroll rreth 20% të territorit të saj.
“Ukraina ka dashur paqen që në sekondën e parë të kësaj lufte. Propozimet realiste janë në tryezë. Çelësi është të lëvizim shpejt dhe me efektivitet,” tha zoti Zelenskiy në rrjetin e mediave sociale X.
Presidenti ukrainas tha se do të vizitojë Arabinë Saudite javën e ardhshme dhe se pas takimit me Princin e Kurorës Mohammed Bin Salman të hënën, përfaqësuesit diplomatikë dhe ushtarakë ukrainas do të qëndrojnë për një takim të martën me ekipin amerikan.
“Nga ana jonë, ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj dialogut konstruktiv dhe shpresojmë të diskutojmë dhe të biem dakord për vendimet dhe hapat e nevojshëm”, tha ai.
Delegacioni ukrainas do të përfshijë ministrin e Jashtëm Andrii Sybiha, shefin e shtabit të Zelenskiy Andriy Yermak dhe ministrin e Mbrojtjes Rustem Umerov.
I dërguari i posaçëm i zotit Trump, Steve Witkoff ka thënë gjithashtu se është në diskutime me Ukrainën për një marrëveshje kornizë për t’i dhënë fund luftës trevjeçare me Rusinë dhe se ishte planifikuar një takim për javën e ardhshme me ukrainasit në Arabinë Saudite.
Në shkurt, Riadi organizoi një takim midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë për të diskutuar mënyrat për të ndalur konfliktin më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ukraina nuk u përfshi në ato bisedime, duke ngjallur shqetësim në Kiev dhe mes aleatëve të saj evropianë.
Presidenti Zelenskiy u takua me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt, por takimi u tensionua duke folur për hapat drejt paqes./ VOA

Top Channel
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente