Inaugurohet sot Thumanë – Kashar/ Berisha: Po diskriminohen banorët e veriut! Duhet të paguajnë 17 euro për të ardhur në Tiranë
Ish-kryeministri Edi Rama vlerëson punimet e bëra nga qeveria Rama për autostradën Thumanë – Kashar, por sipas tij, ky aks që do të jetë me pagesë, diskriminon qytetarët në veri të vendit.
“Duke shprehur vlerësimin për çdo kilometër rrugë që ndërtohet në vend, jam para jush për të denoncuar diskriminimin ekstrem”, shkruan Berisha në një reagim në rrjetet sociale, ku shprehet se banorët e veriut kanë një taksë shtesë për të ardhur në Tiranë. Sipas tij, duke shtuar edhe taksën e Rrugës së Kombit, turistët nga Kosova, për të pushuar të Shqipëri, duhet të paguajnë më shumë se në çdo vend tjetër të Evropës.
“Sot, Rilindja e Edi Ramës inaguron pas 11 vitesh në pushtet, 27 kilometrat e para autostradë të nisura dhe përfunduara prej saj. Por unë, duke shprehur vlerësimin tim për çdo kilometër rrugë që ndërtohet në këtë vend, jam sot para jush për të denoncuar diskriminimin ekstrem, ndëshkimin që Edi Rama u bën banorëve të veriut nga Thumana deri në Vermosh dhe Valbonë, duke vendosur aty një taksë për ardhjen e tyre në Tiranë. Theksoj këtu se për qarkun e Kukësit, qarkun më të varfër të kontinentit, i cili është rreth 38-40 vite mbrapa me të ardhura me Tiranën, kjo është taksa e dytë që ata duhet të paguajnë pas taksës së Rrugës së Komit. Por nga ana tjetër kjo taksë, është një ndëshkim për të gjithë turistët dhe vizitorët që vijnë nga Kosova, të cilët së bashku me ata që vijnë nga Mali i Zi, Muriqani dhe Hani I Hotit dhe nga Europa në këto akse, përbëjnë mbi 70% të turistëve që vijnë në Shqipëri. Për vizitorët nga Kosova, kjo taksë e rrit në 17 Euro shtesë vizitën apo udhëtimin e tyre turistik në Shqipëri, shumë kjo që nuk ekziston në asnjë vend tjetër sado të madh të kontinentit Europian.
Ndaj dhe unë ju bëj thirrje banorëve të qarqeve të veriut të ngrihen kundër këtij diskriminimi anti-shqiptar, anti-kushtetues të Edi Ramës me taksën që ka vendosur ndaj tyre. Kjo sepse sot aktualisht në të gjitha zonat e tjera të Shqipërisë nga Tirana në Leskovik, në Qafë Botë, në Kakavijë lëvizet në autostrada dhe superstrada pa asnjë taksë. Pra është një diskriminim që ju të dashur banorë të zonave të veriut nuk duhet ta pranoni kurrsesi”.
Top Channel
Burimi