Festa amerikane/ Pritja për 248 vjetorin e pavarësisë së SHBA, David Wisner: Kemi shumë të përbashkëta

Festa amerikane/ Pritja për 248 vjetorin e pavarësisë së SHBA, David Wisner: Kemi shumë të përbashkëta

Selia e Washingtonit në Tiranë organizoi pritjen e përvitshme për të festuar Ditën e Pavarësisë të  Shteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky vit shënon  248-vjetorin e Pavarësisë të aleatit dhe mbështetësit kryesor të vendit tonë. Mes shumë të ftuarve i ngarkuari me punë në ambasadën e SHBA David Wisner në fillim të fjalës përshëndetëse u shpreh se lidhjet që bashkojnë dy vendet tona janë forcuar gjatë 102 viteve të fundit.
“Kemi shumë të përbashkëta – që nga shqiponjat që fluturojnë mbi vendet tona, te dashuria jonë për lirinë, te pasioni për futbollin (sado të ndryshme që janë!), tek amerikanët që vizitojnë dhe jetojnë në Shqipëri dhe komunitetet e mëdha e të talentuara të diasporës shqiptare në SHBA. Ndonjëherë dëgjoj se shqiptarët kanë rezerva ndaj shërbimit publik, duke kujtuar ngjyrimet që ky koncept kishte gjatë periudhës së errët në historinë e Shqipërisë. Gjatë vitit tim këtu, kam parë se realiteti është pak më i ndryshëm dhe në fakt më bën të kem më shumë optimizëm”.

Sipas David Wisner  Shqipërisë nuk i mungojnë shembujt pozitiv.
“Gjyqtari i shkëlqyer i Gjykatës së Lartë të SHBA-së dhe kryqtari kundër korrupsionit, i ndjeri Louis Brandeis, ka thënë: “Zyra më e rëndësishme politike është ajo e qytetarit të thjeshtë”. Shumë prej jush po i shërbeni vendit tuaj në mënyra të rëndësishme dhe ndërsa hedh sytë përreth, shoh shumë shembuj frymëzues. Shoh gjyqtarë, prokurorë, hetues, avokatë dhe shumë të tjerë që punojnë shumë për të reformuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe për të luftuar korrupsionin, në mënyrë që të gjithë të jenë me të vërtetë të barabartë përpara ligjit. Me pak fjalë, shoh një komunitet njerëzish që kjo Ambasadë është thellësisht krenare t’iu qëndrojë krah për krah si miq, partnerë dhe aleatë.”
Presidenti republikës Bajram Begaj e vuri theksin në asistencën amerikane të vazhdueshme të cilën e quajti thelbësore  në forcimin e institucioneve demokratike e shtetit ligjor.
“Një nga kontributet më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri mbetet reforma në drejtësi, thelbësore për shëndetin e demokracisë sonë  dhe rrugën për integrimin në Bashkimin Evropian.   Shqipëria është një vend që, nën dritën e së shkuarës, përpiqet të analizojë me pjekuri të tashmen, për t’u orientuar më mirë në të ardhmen e saj.”

Top Channel
Burimi