“E shpikët opinionin”, Peleshi i përgjigjet Bardhit pas akuzave për “Venecian”, i nxjerr postimin: Ke hequr dy paragrafë!
Opinioni i Komisionit të Venecias në lidhje me mandatin e deputetes së PS Olta Xhaçka është bërë sërish “mollë” sherri në Kuvend, teksa interpretimi i që i bën opozita i jep të drejtë kësaj të fundit, ndërsa mazhoranca deklaron se Venecia shprehet se deputetët nuk mund të detyrohen për të votuar në një mënyrë të caktuar.
Gazment Bardhi nga foltorja e Kuvendit iu drejtua ashpër mazhorancës, duke thënë se “po shpikin një opinion që nuk ekziston”, dhe se sipas tij opozita ka të drejtë dhe se duhet që të votohet për heqjen e mandatit të Xhaçkës, edhe pse socialistët mendojnë ndryshe.
Në përgjigje të akuzave të Bardhit, ishte socialisti Niko Peleshi i cili i vuri në dukje se ndërsa demokrati ka ndarë në rrjetet sociale Opinionin e Venecias, ka hequr disa paragrafë, në të cilët thuhet shprehimisht: “Kushtetuta mund të përjashtojë disa çështje nga vendimmarrja parlamentare. Por nëse Kushtetuta shpall fuqinë e parlamentit për të vendosur – pra, për të votuar mbi një çështje të caktuar – përmbajtja e asaj vote duhet të përcaktohet lirisht nga secili deputet dhe nuk mund të imponohet”; dhe “Në këtë mënyrë, parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por mund të votojë vetëm për çështje që bien brenda kompetencave të tij”. Këto pjesë mungojnë në postimin tuaj”.
“Dua të them vetëm dy fjalë brenda hapësirës që më lejon rregullorja në këto dy minuta, lidhur me atë që u tha për rekomandimin dhe mendimin e Komisionit të Venecias.
Nuk marr përsipër të bëj trajtime teknike, sepse nuk është vendi për këtë dhe nuk është se ky forum mund të trajtojë një çështje që është kaq komplekse. Dua të them politikisht që, së pari, kërkesa nuk kishte lidhje me një deputet të caktuar, një çështje të caktuar apo një grup parlamentar të caktuar. Kërkesa kishte të bënte me Kuvendin.
Unë e falënderoj edhe njëherë kryetaren e Kuvendit, që nuk përfshiu Komisionin e Venecias gjatë procedurës për mandatin e zonjës Xhaçka, por vetëm pasi përfundoi procedura, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ajo i bëri disa pyetje Komisionit të Venecias, përgjigjet e të cilave ndihmojnë jo vetëm Kuvendin, por edhe institucionet e tjera.
Dhe ne nuk e ngremë si flamur triumfues mendimin e Komisionit të Venecias, sepse ishte një mendim pozitiv për të gjithë – madje, më shumë për opozitën. Ky mendim njohu shumë qartë të drejtën e mazhorancës, në rastin e 1/5, për të paraqitur një mocion drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese nëse Kuvendi ka vendosur ndryshe.
Tani, me lejoni të marr vetëm pak sekonda për hir të transparencës. Kam lexuar statusin tuaj ku përmendni disa nene. Ky është Neni 20 – nuk po e lexoj të gjithin, por ju të gjithë mund ta shihni pjesën e vizuar me të verdhë. Ky është neni 57 – sërish pjesa e vizuar me të verdhë.
Çfarë është kjo? Kjo është pjesa që është hequr. Nenet janë origjinale, por në postimin tuaj janë hequr këta paragrafë. Çfarë thonë ata paragrafë? Po lexoj vetëm një pjesë, sepse të gjithë e kuptojnë.
Tek neni 20, pikërisht ky paragraf është hequr:
“Kushtetuta mund të përjashtojë disa çështje nga vendimmarrja parlamentare. Por nëse Kushtetuta shpall fuqinë e parlamentit për të vendosur – pra, për të votuar mbi një çështje të caktuar – përmbajtja e asaj vote duhet të përcaktohet lirisht nga secili deputet dhe nuk mund të imponohet”.
Kjo është e para që është hequr.
Tek neni 57, gjithashtu është hequr një pjesë. Për shembull, fjalia e dytë për mundësinë e referimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Ky paragraf thotë:
“Në këtë mënyrë, parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por mund të votojë vetëm për çështje që bien brenda kompetencave të tij”. Këto pjesë mungojnë në postimin tuaj”, tha Peleshi.
Top Channel
Burimi