Dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm, shkon në 90 numri i personave të shtruar në spitalin e Bulqizës! Prefekti thirrje banorëve
Vijon të shtohet numri i pacientëve që i drejtohen spitalit të Bulqizës me shenja helmimi.
Gazetari i Top Channel Dëfrim Karaj bën me dije se deri më tani numri i pacientë ka shkuar në 90, nga 50 që ishte deri mbrëmjen e djeshme.
Prefekti i qarkut Dibër Nexhbedin Shehu u ka bërë thirrje banorëve mos ta përdorin ujin e pijshëm deri në përgjigje të analizave pasi dyshohet që mund të jetë uji i pijshëm shkaku i helmimit, por jo vetëm, por edhe virozat.
Top Channel mëson se ka pasur përpjekje për të fshehur këtë ngjarje ku rrezikohet jeta e banorëve nga cilësia e ujit të pijshëm në Bulqizë. Megjithatë pritet të konfirmohet arsyeja e helmimit përmes analizave përfundimtare.
Në Bulqizë nuk është hera e parë që banorët i drejtohen spitalit për ndihmë mjekësore me shenja helmimi, gati një vit më parë pati një helmim masiv ku më shumë se 60 familjarë u paraqitën në qendrën shëndetësore të Gjoricës.
Edhe në janar të 2021, u helmuan nga uji i pijshëm 30 persona të cilët u kuruan në qendrën e Shupenzës.
Edhe vitet e shkuara janë shënuar në regjistrat e spitalit pacientë të helmuar për shkak të ujit të pijshëm. E mesa duket ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësit kanë munguar për të zgjidhur këtë problematikë. Policia njofton se ka ngritur grupin hetimor për të zbardhur rrethanat e për të përcaktuar shkakun e helmimit.
Top Channel
Burimi