“Dikur e kishte harruar edhe Zoti”, Rama ndan pamje nga Libohova: Turistë nga e gjithë bota po vizitojnë qytezën historike
Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa pamje nga qendra e qytezës së Libohovës, ku qytetarët ia kanë marrë valles.
Në mbishkrim, Rama ka krahasuar periudhën kur mbante postin e kryetarit të opozitës dhe gjendjen në të cilën ishte Libohova në atë kohë me periudhën tani, ku siç thotë kryeministri është e pushtuar nga turistët, të cilët “shijojnë bukuritë e këtij qyteti të vjetër dhe historik
“Kur kam shkuar për herë të parë në Libohovë, si kryetar i opozitës, ishte si një nga shumë qytezat e Shqipërisë që “i kishte harruar edhe Zoti”, me kishën e mahnitshme që po binte në vetmi, rrugën kryesore ku asfalti dukej si lëkurë e shqyer krokodili, shtëpitë si fantazma nën muret e murrme të kalasë së heshtur të Shanishasë dhe njerëzit si hije nëpër diell. Të flisje për një të ardhme me turizëm e për turistë të huaj që do të ngjiteshin deri aty ku edhe gurët kishin marrë rrugën teposhtë, ishte si të premtoje zbritjen e marsianëve me mushka fluturuese për të shijuar natyrën, traditat dhe ushqimet e Libohovës.
Sot nuk janë marsianët po janë turistë nga të katër anët e botës dhe vizitorë që jo vetëm ngjiten në qytezën e veçantë, për të shijuar bukurinë magjepsëse të kishës së restauruar, historinë, natyrën dhe mikpritjen libohovite, po edhe për të hedhur valle në mbrëmje mbi qilimin e gurtë të Rilindjes Urbane, që pret përditë miq të rinj, aty ku deri dje vetëm përcilleshin përmes gropave e pluhurit të mbeturit që shkonin për në banesën e fundit”, ka shkruar Rama.
Top Channel
Burimi