“Dialogu është në koma”, Ministri i jashtëm serb, Gjuric: Nuk e ka fajin Lajçak, me PE e re ndryshon situata!

“Dialogu është në koma”, Ministri i jashtëm serb, Gjuric: Nuk e ka fajin Lajçak, me PE e re ndryshon situata!

Përpjekja e fundit diplomatike e Mirosllav Lajcak nuk dha as ajo shumë rezultate.

Pak pas ndalesës së të dërguarit të BE-së në Beograd për një takim me presidentin Aleksandar Vuçiç, mbërriti një deklaratë e ministrit të jashtëm serb Marko Gjuric sipas të cilit dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është “në koma”.
Kjo gjendje, sipas tij, nuk ka të bëjë asgjë me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun, Mirosllav Lajçak, por me faktin se shtetet që kanë ndikim, nuk e përdorin atë. Gjuric foli në një intervistë për televizion shtetëror për aktivitet intensiv diplomatik, e theksoi se Parlamenti i ri Europian është konstituuar dhe disa gjëra po ndryshojnë në Europë. Sipas tij, viti i ardhshëm “mund të jetë viti në të cilin situata do të jetë më e favorshme”.

Në 2023-shin, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe për Aneksin për zbatimin e kësaj ujdie. Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parashikon edhe një nivel vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Megjithatë, BE-ja, e cila që nga viti 2011 ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë – i ka kritikuar palët për moszbatimin e saj.

Top Channel
Burimi