Dështimi në Bruksel, Prishtina fajëson Serbinë: Refuzoi marrëveshjen bazike

Dështimi në Bruksel, Prishtina fajëson Serbinë: Refuzoi marrëveshjen bazike

Pasi edhe takimi i radhës në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë përfundoi në dështim, Prishtina zyrtare doli me një njoftim shpjegues, ku faji për këtë i faturohet Beogradit.

Në këtë takim u diskutua mbi formalizimin e Marrëveshjes Bazike, si element kryesor dhe i parë për zbatim të sekuencuar të marrëveshjes, bashkë me aneksin e Ohrit, mbi Planin e Sekuencimit, zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, u fol rreth mungesës së përparimit në zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur me dhunë, si dhe zbatimin e një numri marrëveshjesh të tjera, përfshirë IBM, si dhe atë për vizitat e zyrtarëve, sqarohet në njoftim.
Por Serbia, nënvizohet aty, refuzoi të pranojë Marrëveshjen Bazike në tërësi dhe nuk pranon të zbatojë pjesën e saj.“ Diskutimi rreth çështjes së personave të zhdukur ekspozoi sërish faktin që pala serbe është duke e sabotuar procesin, e duke nxjerrë vazhdimisht kërkesa të reja me qëllim bllokimin e tij. Zvarritje në zbatim nga ana e Serbisë janë evidentuar nga kryenegociatori i Kosovës edhe në Marrëveshjen e Energjisë”, theksohet mes të tjerash.

Takimi që zgjati më shumë se 6 orë, nisi me përballje bilaterale dhe u përmbyll me një takim tripalësh. Kryenegociatori serb, Petar Petkovic, e kritikoi palën kosovare se nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ndërsa kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi pohoi se gjatë periudhës së verës nuk do të ketë më takime në Bruksel.

Top Channel
Burimi