Britanikët ‘fikin çunat e Londrës’, sjellin skanera për të detektuar stërlinat e fshehura në furgonë e makina private

Britanikët ‘fikin çunat e Londrës’, sjellin skanera për të detektuar stërlinat e fshehura në furgonë e makina private

Agjencitë ligjzbatuese kundra krimit të organizuar në MB gjithmonë kanë shprehur shqetësimin për kalimin e parave të drogës nga grupe kriminale shqiptare drejt vendit tonë.

Top Channel mëson se kjo është një çështje konstante diskutimi e taskforcës së përbashkët mes policive britanike dhe homologëve shqiptar nga drejtoria e përgjithshme e policisë kriminale dhe departamenti i kufirit dhe migracionit, në policinë e shtetit, të cilët ulen në këtë taskforcë.
Megjithëse njoftimi i policisë së shtetit nuk jep detaje, Top Channel ka mësuar se disa pajisje dhuruar nga Britania e Madhe, janë skanera portativë të cilët do të përdoren nga agjentët e policisë në pikat e kalimit kufitar për të detektuar paratë e fshehura, të cilat kryesisht mbërrijnë nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë me furgonat e mallrave, apo makina private pasagjerësh.
Njoftimi i plotë i policisë së shtetit:
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i dhuron Policisë shqiptare, pajisje imazherike të teknologjisë së lartë, me vlerë mbi 18 000 euro.
Marrëveshja për donacionin, në vijim të bashkëpunimit solid dhe ndihmës konkrete të partnerëve britanikë, u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda dhe nga përfaqësuesi i Zyrës së Operacioneve Ndërkombëtare të Departamentit të Operacioneve Ndërkombëtare të Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe, z. Stephen Law.
Drejtor Proda nëpërmejt z. Stephen Law falënderoi Ministrinë e Brendshme të Britanisë së Madhe për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme dhe theksoi se: “Bashkëpunimi i ndërtuar mbi profesionalizëm dhe besim reciprok, do të ndikojë drejtpërdrejt në revanshin e ligjit në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti”.
Pajisjet e rezolucionit të lartë do t’i shërbejnë Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, për dedektimin e shpejtë të lëndëve narkotike, armëve dhe mallrave të cilat tentohen të futen/të dalin nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke i fshehur në vende të përshtatura paraprakisht. Si rezultat i përdorimit të këtyre pajisjeve në këto raste të krimeve kufitare, do të sigurohen prova materiale të padëmtuara.
Ky donacion pasoi donacionin e datës 28 janar 2025, të partnerëve britanikë, të 4 dronëve termikë dhe 2 dedektorëve. Donacionet janë dëshmi konkrete e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe partnerëve britanikë.
 

Top Channel
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente