A mund të përhapet koronavirusi nëpërmjet ushqimit?
Autoritetet shqiptare konfirmojnë se deri tani në vendin tonë nuk ka asnjë rast të koronavirusit, megjithatë, ata rekomandojnë kujdes të shtuar nga ana e popullatës së gjerë. Megjithatë, autoritetet shëndetësore të globit po përballen me një epidemi të mirëfilltë disinformimi që nxit panikun mes njerëzve.
Jo më larg se në javën e dytë të shkurtit, përfaqësues të OBSH-së shprehën shqetësim për atë që e cilësuan si “infodemi” duke thënë se bota ka nevojë për një vaksinë edhe kundër keqinformimit. Në të gjitha raportimet mbi situatën e Koronavirusit, ekspertët e AgroWeb.org i janë referuar vetëm burimeve zyrtare të cilat për hir të të vërtetës kanë të dhënat më të sakta shkencore mbi këtë epidemi. Kohët e fundit, ka patur raportime mbi mundësinë e përhapjes së virusit nëpërmjet ushqimit.
A Mund Të Përhapet Koronavirusi Nëpërmjet Ushqimit?Përvojat e mëparshme të autoriteteve globale të shëndetësisë kanë treguar se bota është përballur shpesh me epidemi që përhapeshin edhe nëpërmjet ushqimit, siç është SARS. Deri më tani, ajo që pranohet njëzëri është se transmetimi i koronavirusit nga ushqimi nuk ka gjasa të ndodhë dhe nuk ka asnjë provë shkenocre të konfirmojë këtë. Sidoqoftë, autoritetet janë akoma duke kryer analiza dhe hetime për të zbuluar burimin e epidemisë, hartën e saktë të përhapjes së saj dhe mënyrat e përhapjes.
Si Të Kufizoni Rrezikun e KoronavirusitHigjena është e një rëndësie thelbësore për parandalimin e virozave. Në vazhdën e epidemisë së radhës, koronavirusi, ekspertët e shëndetit publik, i janë rikthyer çështjes së higjenës si një aspekt shumë i rëndësishëm i ngadalësimit dhe parandalimit të epidemisë.
Larja e Duarve Ngadalëson Përhapjen e EpidemiveLarja e duarve përbën linjën e parë të mbrojtjes ndaj epidemive. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, njerëzit duhet të lajnë duart sa më shpesh me sapun dhe ujë. Është kaq e thjeshtë! Këtë veprim e mbështet edhe studimi më i fundit i kryer në Institutin e Teknologjisë në Kembrixh. Studimi është publikuar në revistën Risk Analysis.
30 Përqind e Njerëzve Nuk i Lajnë DuartSipas vëzhgimit të studiuesve, vetëm 30 përqind e njerëzve lajnë duart pasi shkojnë në banjë. Vetëm pesëdhjetë përqind prej tyre i lajnë duart siç duhet. Larja e duarve nuk ka të bëjë vetëm me shpëlarjen me ujë të bollshëm. Ju duhet të përdorni sapun dhe të fërkoni mirë pëllëmbët e duarve, pjesën e sipërme, në mes të gishtave dhe thonjtë. Larja e duarve duhet të zgjasë mbi 20 sekonda dhe vetëm më pas, ato mund të shpëlahen me ujë të bollshëm e të ngrohtë. Pas larjes, duhet të sigurohuni që t’i thani duart mirë me një peshqir të pastër.
Rreziku i Aerporteve Në Shpërndarjen e VirozaveNë botë numërohen plot 120 aeroporte të rëndësishme që luajnë një rol kryesor në shpërndarjen e virozave. Sipas studiuesve vetëm një në pesë pasagjerë që qëndrojnë në aeroport i lajnë duart mirë me ujë e sapun. Të tjerët vetëm lagin duart me ujë. Nëse pjesa më e madhe e pasagjerëve do të lanin duart mirë nëpër aeroporte, shpërndarja e infeksioneve dhe virozave do të ulej me 70 përqind. Higjena në vende të tilla publike dhe me shumë njerëz mund të jetë sfiduese por jo e pamundur, dhe përse jo, ajo mund të shpëtojë jetë./AgroWeb
Top Channel
Burimi