Pse PD zgjedh të protestojë dhe jo të qeverisë?

Pse PD zgjedh të protestojë dhe jo të qeverisë?

PD organizoi protestën e radhës, me të njëjtat skena banale, të njëjtit protagonistë trushkulur e të njëjtat deklarata idiote. Janë protesta që vijojnë prej vitesh, të cilat afirmojnë vetëm një gjë: si pafuqinë e si paambicien e saj për të ardhur në pushtet. Nëse do e kishte synuar pushtetin, ajo nuk do dilte në protestë. Ajo, siç është katandisur, del në protestë pasi vetëm atë mund të bëjë. E bën sigurisht keq, por tjetër gjë s’mund të bëjë, aq më pak të qeverisë. Nuk është një zgjedhje më vetëdije, por pavetëdijshëm ndjek logjikën e gjërave. Vëreni narrativën e PD-së, atë mbizotëruese: nuk ka asnjë frazë që shpërfaq ambicien për qeverisje e aq më pak bindjen se kjo do të ndodhë së afërmi. Po të ishte kështu, nuk kishte pse dilte në protesta.
Për kujtesë, në 2005-ën, kur erdhi në pushtet në korrik, protestën e fundit e kishte organizuar në shkurt, ajo “Nano ik”, më shumë popullore se militante apo partiake. Dhe s’kishte nevojë të protestonte, pasi ishte “Mjaft”-i, Erion Veliaj me çuna e goca që ia hiqte mrekullisht atë barrë politike.
PS-ja e Ramës, për dy vjet, nga 2011-ta e deri në 2013-ën, nuk bëri as ajo asnjë protestë. Pra, s’ja kishte ngenë protestave pasi po bëhej gati të merrte pushtetin, siç dhe e morri. Me PD-në nuk ndodh kjo, pasi ajo e ndjen instiktivisht se pushtetin e ka ende larg. Ndaj dhe zgjedh të protestojë, pasi atë e ka talentin e vetëm, aftësinë e vetme, siç dhe akuzën. Dhe kjo është gjuha më e qartë me të cilën i flet votuesit, duke i thënë, thjesht: Mos më voto, nuk jam për të qeverisur! /tesheshi.com/       
Burimi