Një dropullit për mposhtjen e Belerizmit në Himarë
Vangjel Tavo është njeriu që Rama ka zgjedhur kundër Greqisë për sfidën e Himarës më 4 gusht, në zgjedhjet e pjesshme të atyshme, për kreun e ri të Bashkisë.
Pra, Prefekti dropullit i Vlorës, një minoritar tipik etnikisht, por jo politikisht siç Dule, ky i fundit qartazi lojtar i Athinës në Shqipëri, është njeriu i ideuar për një ekuilibër mes Shqipërisë dhe Greqisë pas krizës që solli Beleri.
Tavo, tradicionalisht socialist, pati një devijim te LSI në fundin e opozitës së PS-së, për t’u rikthyer në familjen e tij politike kohët e fundit, pasi partia e Metës është ç’faktorizuar pothuajse plotësisht.
Ai u rifut nga Rama në arenën politike, me emërimin si Prefekt i Vlorës, me mision kryesor angazhimin me çështjen e pronave në Himarë.
Tashmë, mision i tij është të fitojë Himarën më 4 gusht, në përballje me Belerizmin që ka pas Athinën, duke mos qenë himarjot, por duke qenë qartësisht grek në gjak.
Ndryshe, ky është rasti i përballjes së dy Vangjelëve, Tavo e Dule, pasi ky i fundit bën emisarin e Athinës në Himarë dhe ishte njeriu që zgjodhi Fredi Belerin si kandidat aty, nën aleancë me dyshen Berisha-Meta.
Sa për kundërshtarin e mundshëm të Tavos, përflitet që mund të jetë i biri i Belerit, një anonim, bërë i njohur nga intervistat për të atin.
Tavo është votuar nga kryesia e PS-së si kandidat për Himarën, sipas një prononcimi për mediat Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi.
“Në zbatim të statutit të PS dhe normave tona të brendshme, vendosëm në bazë të propozimeve që vijnë nga Bashkia e Himarës, për kandidaturën e Vangjel Tavos si kandidat i PS-së në garën për kryetar Bashkie në Bashkinë Himarë.
Figura e Vangjel Tavos vjen si një figurë e cila është një figurë e njohur politike, njohës i asaj zone, i asaj krahine. Po ashtu vjen nga disa beteja elektorale që e kanë përgatitur atë për të qenë një kandidaturë shumë e përshtatshme dhe po ashtu edhe përfaqësuese e atij komuniteti. Ne shkojmë për të pasur një rezultat jashtëzakonisht pozitiv në Bashkinë e Himarës”, tha Klosi. /tesheshi.com/
Burimi