Telashe pafund për MotoGP, anullohet edhe një tjetër garë, e treta për këtë sezon
Vijojnë telashet pr botërorin 2024 të MotoGP, që pas anulimit të Çmimit të Madh të Argjentinës dhe shtyrjes së garës së Kazakistanit, ka humbur edhe një tjetër garë. Gara e Çmimit të Madh të Indisë nuk do të zhvillohet për shkak të një sërë problemesh klimatike që do ta vështirësonin konkurrimin në fundjavën 20-22 shtator siç ishte planifikuar fillimisht.
Kjo u konfirmua nga organizatorët, të cilët në një intervistë dhënë agjencisë së lajmeve “Press Trust of India”, konfirmuan vendimin për anullimin e garës dhe zhvillimin e saj vitin tjetër. Ata kanë hedhur poshtë zërat në lidhje me mosmarrëveshjet nga ana e tyre dhe Dorna, kompania që drejton MotoGP.
“U vendos reciprokisht që gara të zhvendoset në mars të vitit të ardhshëm. Po shohim javën e parë apo të dytë të marsit. Të gjitha palët e interesuara, përfshirë Dorna, pajtohen që moti në shtator nuk është i favorshëm për garën në Indi dhe se do të ishte e vështirë për pilotët të garonin në ato kushte”, thanë organizatorët e garës së Indisë.
“Ne kishim menduar gjithashtu ta bënim atë në nëntor, por kjo do të kishte përfshirë katër gara të njëpasnjëshme, të cilat do të ishin të vështira për ekipet dhe pilotët”, thanë organizatorët. Në këtë pikë, në lojë mund të rikthehet Kazakistani, eventi i të cilit nuk u anulua, por u shty për shkak të përmbytjeve që goditën vendin aziatik. Dorna po mendon ta zhvendosë atë në shtator në vend të Indisë.
Burimi