Sylvinho iu “bën bisht” shkaqeve të disfatës me Çekinë: Kundërshtari ishte motivuar sikur po luante ndaj Brazilit
Humbje 2-0 në fushën e blertë dhe përdhosje e simboleve kombëtare në shkallët e stadiumit. Kështu mund të përmblidhet mbrëmje e djeshme e kuqezinjve në “Epet Arena”, në sfidën e radhës të Ligës së Kombeve. Disfatë që e komplikon më tej situatën e kombëtares sonë në grup, por edhe ngre alarmin për ecurinë e kombëtares së drejtuar nga Sylvinho.
Dy humbje radhazi, por edhe me Gjeorgjinë në sfond, transfertën e afërt, situata nuk është aspak e mirë. Megjithatë, Sylvinho sheh gjysmën e gotës plot, madje merret më shumë me kundërshtarin, që paska qenë karikuar sikur po luante me Brazilin, si shenjë “hakmarrjeje” për humbjen 3-0 në Tiranë:
“Mendoj se skuadra jonë nuk e ka humbur entuziazmin, por skuadra kundërshtare kishte me tepri entuziazëm. Çekët kishin shumë dëshirë, e pritnin prej 13 muajsh këtë ndeshje. Ndaj nesh luajtën sikur kishin përballë Brazilin. Pra, ishin shumë të motivuar. Nga një anë, kjo na jep kënaqësi, por nga ana tjetër humbja mbetet e tillë dhe nuk të pëlqen.
Kundërshtarët tani e studiojnë Shqipërinë, a patë si na pritnin këtu prej një viti. Ky është një avantazh. Dy vite më parë nuk e dinin se kush lunate, ndërsa tani e dinë se çfarë kemi bërë. Në situata të tilla duhet të përmirësohemi më shumë. Nuk është vetëm taktikë, duhet kuptuar që kundërshtarët na studiojnë me detaje. Kjo është shenjë që duhet të shkojmë në çdo ndeshje 100%.
Çdo ndeshje është e ndryshme një nga tjetra. Unë mendoj se ishte një ndeshje e shpejtë, çekët ishin shumë më mirë se ne në 25 minutat e parë. Ata deshën ta mbyllnin ndeshjen shpejt, dukej sikur luanin kundër Brazilit, e pabesueshme.
Pastaj patëm dy mundësi me Dakun, Asllanin, në pjesën e dytë me Asanin. Ky është futbolli, në kualifikueset e kaluara ktheheshim me pikë nga kjo transfertë, sonte dalim të mundur. Ka gjëra që duhen përmirësuar. Pas kësaj humbje kemi një udhëtim të vështirë, duhet të mendojmë për Gjeorgjinë.
Është nder për ne kjo, sot kundërshtari e studion Shqipërinë 2-3 ditë. Duhet të përmirësohemi edhe ne shumë. Çekia është një skuadër shumë e shpejtë, bëni një analizë të 10 viteve të fundit, sa herë ka shkuar në Botëror dhe Europian. Lojtarët çekë luajnë në nivele të larta. Unë përshëndeta Çernin, e dini çfarë tha kur i mundëm 3-0?
Ai më përqafoi dhe më tha komplimente për punën që keni bërë. Këtë po them sot, njerëzit e futbollit shohin dhe thonë jeni të organizuar. Jemi munduar të bëjmë gjithçka, kjo është Republika Çeke, shumë të fortë. Duhet të përmirësohemi, por nuk është e thjeshtë. Duhet kuptuar se kundërshtarët na shohin krejtësisht ndryshe tashmë”.
Burimi