Pajaziti, pa emocionet e debutuesit: E mendoj veten duke luajtur në Botëror me Shqipërinë

Pajaziti, pa emocionet e debutuesit: E mendoj veten duke luajtur në Botëror me Shqipërinë

Ai pritet të debutojë me kombëtaren e madhe kuqezi. Sigurisht, ka luajtur dhe spikatur me Shqipëria U-21, ndaj ka marrë ftesën e trajnerit Sylvinho në funksion të ndeshjeve të Ligës së Kombeve ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë. Djaloshi i talentuar ka dalë në konferencë për shtyp, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Në çfarë pozicioni ju pëlqen të luani?Unë jam mesfushor ofensiv, kam luajtur si 6, 8 apo 10. E vendos trajneri se ku mund të jap më të mirën.
Ku ishit dhe si reaguat kur morët vesh ftesën e kombëtares së madhe?Fillimisht fola direkt me mamin, pastaj me babin. Të gjithë janë të lumtur për mua, që mora ftesën e kombëtares, që nga dajat e axhallarët, të gjithë.
Së fundi keni shënuar 2 gola me Shpresat…Ka qenë ndeshje shumë e mirë ndaj Zvicrës, jo vetëm për mua, por të gjithë lojtarët. Sigurisht, kur shënon dy gola, të happen më shumë mundësi. Edhe performanca ime me klubin ka qenë e mirë.
Ka nga ata që ju konsiderojnë si Demollari i ri…Unë jam Pajaziti dhe jo Demollari. Ndihem mirë kur marr komplimente dhe sigurisht do të bëj maksimumin për t’u bërë legjendë si ai.
Cilin ndjek Pajaziti më shumë si model në futboll?Në kombëtare më pëlqejnë shumë si luajnë Asllani dhe Bajrami. Mundohem me u kombinu mirë me ta, pasi janë të rinj si unë. Jashtë kombëtares, që kur kam qenë i vogël kam parë Modric. Ka cilësi shumë të mira dhe më ka pëlqyer shumë.
Nga Shpresat tek ekipi A, a do të jetë e vështirë për t’u integruar?Nuk do të jetë e lehtë, por jam gati. Kam cilësi dhe vetëbesim shumë të madh. Çunat më kanë pritur shumë mirë dhe më kanë bërë të ndihem komod. Mezi pres të stërvitemi dhe të shikojmë çfarë do të bëjmë.
Cili është objektivi juaj?Unë dua që çdo herë të tregoj veten, të jem vazhdimisht lojtar i kombëtares. Dua të jem një prej lojtarëve bazë të kuqezinjve, të marrë pjesë në një Botëror. Jam gati për çdo moment, pastaj trajneri vendos nëse do të luaj. Kam vetëbesim dhe do të jap më të mirën time.
Burimi