McGregor zbulon se është në bisedime për dy duele me boksierin e pamposhtur amerikan
Kampioni irlandez i arteve marciale mikse Conor McGregor ka deklaruar se është në bisedime për të zhvilluar dy duele me boksierin amerikanin Terence Crawford. Sipas “The Notoruis”, një sfidë do të jetë në kafaz dhe një në ring.
Për momentin nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për një marrëveshje mes palëve, por duket se boksieri i pamposhtur amerikan (41 fitore, 0 humbje) nuk ka dëshirë të duelojë në kafaz. Për këtë arsye është në dilemë dhe mund të refuzojë.
McGregor është ende duke pritur të rikthehet në kafaz pas një periudhe të gjatë pa duel, që pas dëmtimit në eventin UFC 264 (korrik 2021). Irlandezi, ish-kampion i dyfishtë i botës, shtyu rikthimin e planifikuar në eventin UFC-303 ndaj Michael Chandler, për shkak të një dëmtimi në gisht.
Crawford konsiderohet si një nga boksierët më të mirë në botë për momentin, ndaj dhe McGregor tha se ishte në bisedime me të, për një marrëveshje të mundshme me dy ndeshje: Në MMA dhe boks. McGregor pretendon se do të kishte qenë një luftë me vlerë “qindra miliona” dollarë, por Crawford duket se nuk është i bindur.
Irlandezi ka zhvilluar vetëm një duel në ring, atë të humbur me KO teknik ndaj Floyd Mayweather, sfidë e zhvilluar në gusht të vitit 2017.
Burimi