“Marca”: Kombëtarja shqiptare, pasqyrë e diasporës. Një ekip me 10 flamuj…
Prestigjiozja sportive spanjolle “Marca” ka “rrëmuar” në shumë drejtime mbi kombëtaren tonë kuqezi, e cila do të sfidojë “Furinë e Kuqe” sonte në mbrëmje në “Euro 2024”. Ja shkrimi i plotë i saj, me titull disi provokues “Shqipëria, një ekip me 10 flamuj”: “Kombëtarja shqiptare është pasqyra e asaj diaspore që tronditi vendin në dekadën e fundit të shekullit të kaluar dhe të parën e të tashmes.
Në listën e të përzgjedhurve nga Sylvinho për këtë Europian, i dyti i shqiptarëve pas debutimit në vitin 2016, janë lojtarët e lindur në 9 shtete: Shqipëri (tetë), Zvicër (pesë), Maqedoni (tre), Kosovë (tre), Gjermani (dy), Greqi (dy) dhe një në Itali, Angli e Spanjë. Rasti spanjoll është ai i Iván Balliut, mbrojtësit të krahut të Rayo Vallecano. Do të ishin dhjetë flamuj, sepse kosovarët kanë lindur para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 2008.
Shiriti i kapitenit të kombëtares shqiptare i përket Berat Djimsitit, lojtarit të Atalantës. Ai është një nga ata që lindi në Zvicër: Cyrih, 29 shkurt 1993. Aty u stërvit dhe u rrit si futbollist. Ai ishte në ekipin e të rinjve të Zvicrës, me të cilët luajti ndeshje nga moshat U-18 deri në U-21.
Në vitin 2015, Gianni di Biasi, trajneri italian që hapi rrugën për ta çuar Shqipërinë në “Euro 2016”, e ftoi me kuqezinjtë. Djimsiti ndërroi fanellë dhe i tha ‘po’ vendit të të parëve të tij, rrënjët e të cilëve ishin në Tërnovc të Madh (Bujanoc, Serbi). Prej andej, qindra shqiptarë u desh të arratiseshin për shkak të kërcënimeve të të gjitha llojeve, jo vetëm nga paraushtarakët serbë, sepse ai rajon njihet si Medellin i Ballkanit për shkak të dominimit të mafias vendase.
Ylli i kuqezinjve – Lojtari më i mirë i kombëtares shqiptare është Armando Broja. Në certifikatën e lindjes thuhet se ka lindur pak kilometra larg Londrës, në Slough, më 10 shtator 2001. Familja e tij përfundoi atje pasi la pas Koplikun, një qytet në veri të Shqipërisë, rrugës për në kufirin malazez.
Në moshën 6-vjeçare u regjistrua në akademinë e Chelsea, ku u rrit deri më 8 mars 2020, kur bëri debutimin e tij me ekipin e parë. Ai hyri në lojë katër minuta nga fundi për Giroud, me Chelsea që po fitonte 4-0 ndaj Evertonit.
Në vitin 2019 refuzoi thirrjen e U-21 të Anglisë dhe zgjodhi vendin e prindërve të tij. Ai është shtylla e kombëtares shqiptare, e gjuhëve dhe feve të përziera, që e kanë pagëzuar si ‘Hirushen’ e Kampionatit Europian të Gjermanisë”.
Burimi