Lautaro, gol nga stoli për Argjentinën: Trajneri nuk ka pse të më shpjegojë pse nuk më aktivizon titullar
21 Qershor 2024
21:01
Alfred Lleshi
Lautaro Martinez gjeti rrjetën gjatë debutimit të Argjentinës në “Copa America” 2024 kundër Kanadasë. Sulmuesi i Interit u hodh në fushë në pjesën e dytë, shënoi golin e dytë dhe të sigurisë për të tijtë. Në fund të ndeshjes u shpreh kështu për “TyC Sports”: “Është e rëndësishme të bësh gjithmonë atë që kërkon trajneri. Ia dola të kisha dy situata të rëndësishme pasi hyra në fushë, njërën arrita ta ktheja në gol”.
Mbi dualizmin me Julian Alvarez: “Trajneri nuk ka pse të na shpjegojë asgjë për këtë çështje, ai na mbështet dhe na inkurajon. Është e qartë se trajneri duhet të marrë vendime, të cilat vetëm respektohen. Kushdo që del titullar në fushë jep gjithmonë më të mirën e tij. Po kështu, kushdo që merr përsipër gjatë ndeshjes, bën të njëjtën gjë. Çdo lojtar argjentinas jep gjithçka për kombëtaren kur del në fushë. Kjo ndodh gjithmonë”.
Edhe trajneri Lionel Scaloni shprehu mendimin e tij për këtë çështje: “Ne po kërkojmë ekuilibër, jemi një ekip që ka nevojë për këtë. Kush nuk do të donte që të gjithë të luanin në sulm? Të dhemb që Lautaro Martinez dhe Julian Alvarez nuk luajnë bashkë, por i kuptojnë zgjedhjet e trajnerit në mënyrë perfekte. Mbi të gjitha është Argjentina, suksesi i saj, të gjithë mendojmë kështu”.
Burimi