Jo vetëm Broja, kombëtarja humb edhe kapitenin prej dëmtimit. Lajme të këqija para dy sfidave të shtatorit
3 Shtator 2024
14:02
Alfred Lleshi
Ka sërish një ndryshim në listën e Kombëtares për dy ndeshjet e para në Grupin B1 të UEFA Nations League. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se kapiteni Berat Gjimshiti nuk do të jetë i gatshëm për dy sfidat ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë për shkak dëmtimi.
Mbrojtësi kuqezi pësoi një dëmtim në seancën stërvitore gjatë një testi miqësor me ekipin U-21 dhe më pas iu nënshtrua kontrolleve mjekësore. Pas rezonancës magnetike është konkluduar se Gjimshiti ka pësuar një tërheqje muskulore dhe ka nevojë për disa ditë pushim për t’u rikuperuar nga dëmtimi. Kapiteni kuqezi do të rikthehet te klubi i Atalantës për të nisur menjëherë rikuperimin.
Në këto kushte, trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë për këto dy ndeshje mbrojtësin e Kombëtares U-21, Adrian Bajramin, i cili do të bashkohet menjëherë me ekipin. Lojtarët e tjerë nuk kanë probleme fizike dhe i gjithë grupi pritet të plotësohet gjatë mbrëmjes së të martës.
Burimi