
Hamilton gati për debutimin me Ferrari: Nuk ndjej presion, kam ardhur për trofetë dhe titujt kampionë
13 Mars 2025
11:32
Telesport
Edhe pse për Lewis Hamilton nuk është hera e parë që nis një sezon të Formula 1, kjo do të jetë hera e parë për të si një pilot i Ferrari. 7 herë kampioni i botës është gati për debutimin e tij me “kokëkuqen”, në garën e parë sezonale që do të zhvillohet këtë fundjavë në Australi.
Në Melburn, në konferencën për shtyp, ai ishte “ylli më i kërkuar” nga mediat. Piloti veteran u shfaq shumë i sigurt në vetvete, i bindur për vlerën e shtuar që mund t’i sjellë makinës italiane dhe aspak i shqetësuar nga vëmendja e madhe mediatike që do të rrethojë këtë dyshe të pabesueshme.
“Mendoj se me kalimin e viteve presioni që i kam bërë vetes ka qenë gjithmonë 10 herë më i madh se çdo presion që dikush tjetër mund të më bëjë. Unë nuk erdha në këtë ekip për të ndjerë presionin, por për rezultate, për trofe dhe titujt kampionë”, u shpreh Lewis Hamilton.
Më tej, britaniku komentoi: “Unë kam pritshmëri për veten time. Unë e di se çfarë mund të sjell, e di që mund të arrij rezultate. Unë e di se çfarë duhet për ta bërë këtë gjë realitet. Është vetëm një çështje që të ulësh kokën dhe të punosh. Unë hyj në këtë fundjavë me një mendje shumë të hapur”.
Burimi