Formacioni kundër Gjeorgjisë: Sylvinho në dilemë për një pozicion
10 Shtator 2024
16:44
Telesport
Skuadra që fiton nuk ndryshohet. Këtë logjikë pritet të ndjekë trajneri i kombëtares shqiptare, Sylvinho, për ndeshjen e sotme kundër Gjeorgjisë (Air Albania Stadium, 20:45), me 22 mijë tifozë kuqezi të pranishëm.
Braziliani është bindur nga seanca e fundit stërvitore se të gjithë lojtarët janë të gatshëm për të luajtur. Ai nuk ka ndonjë dyshim të rëndësishëm për t’u konsideruar para ndeshjes.
11-shi i titullarëve me siguri që do të jetë i njëjti me ndeshjen e fituar 2-1 kundër Ukrainës. Sylvinho nuk dallohet për eksperimente në fushë dhe e njëjta logjikë do të ndiqet sonte.
Strakosha do ta nisë si titullar, ashtu si dyshja Ismajli-Kumbulla në qendër të mbrojtjes. Mitaj në krahun e majtë tashmë nuk diskutohet më që me performancat e eliminatoreve, pa harruar Euro2024.
Laçi-Ramadani-Asllani është një mesfushë e blinduar dhe e panegociueshme për trajnerin e Shqipërisë. Sulmi gjithashtu pritet të jetë i njëjti: me Asanin, Manajn dhe Bajramin.
Dilema e vetme mund të jetë krahu i djathtë i mbrojtjes, i diskutuar aq shumë në muajt e fundit. Balliu është në balotazh me Hysajn, lojtar i cili praktikisht është pa ekip tashmë.
Burimi