5 milionë peseta dhe kërcënimi me ryshfet… Shqipëri-Spanjë, ndeshja e errët në vitet 90-të

5 milionë peseta dhe kërcënimi me ryshfet… Shqipëri-Spanjë, ndeshja e errët në vitet 90-të

Kanë qenë pesë përballje zyrtare mes Spanjës dhe Shqipërisë, të gjitha me fitore të iberikëve. Në fakt duhej të kishin qenë gjashtë. Në dhjetor 1991, “La Roja”, në atë kohë e stërvitur nga Vicente Miera, mbylli fazën kualifikuese të grupit të vet për “Euro 1992” në Suedi kundër “shqiponjave” (Las Águilas), një turne nga i cili ato tashmë ishin eliminuar.
Situata politike dhe ekonomike në Shqipëri ishte jashtëzakonisht e tensionuar, menjëherë pas rënies së perdes së hekurt të komunizmit. Meqë shqiptarët nuk kishin asgjë në lojë (për kualifikim), RFEF i kërkoi UEFA-s që të mos e luante ndeshjen për të mos rrezikuar lojtarët e vet.
Miera, i cili javë më parë kishte zëvendësuar Luis Suarez për shkak të rezultateve të dobëta të kombëtares, e mblodhi ekipin. Ekspedita spanjolle e priste takimin sikur do të ndodhte apokalipsi bërthamor: e pajisur me një sasi të madhe ushqimesh dhe materialesh me vete për shkak të mungesës së besimit ndaj kushteve sanitare në Shqipëri. Por më në fund UEFA vendosi ta anulonte ndeshjen.
Shqipëria protestoi dhe kërkoi një datë të re për të përmbushur angazhimin ndaj tifozëve të saj, pasi mijëra prej tyre kishin blerë tashmë biletat për ndeshjen. Në fund, organi më i lartë europian u çlirua nga problemi duke kompensuar FSHF me 5 milionë peseta të vjetra (rreth 30 mijë euro me kursin e këmbimit).
Për paratë do të flitej sërish një vit e disa muaj më vonë, në shtator 1993. Shorti i vendosi sërish përballë spanjollët dhe shqiptarët në një fushatë eliminatore, këtë herë për Kupën e Botës në SHBA. “La Roja” kishte nevojë të fitonte me disa gola diferencë dhe, siç u publikua më pas në shtypin e vendit ballkanik, një ndërmjetës i ofroi Federatës Spanjolle blerjen e mundshme të ndeshjes. “Ju jeni të gjithë të çmendur”, – u përgjigj presidenti i atëhershëm Ángel María Villar për insinuatën.
Javier Clemente e drejtoi atë skuadër që në fakt fitoi 1-5 në Tiranë, me një “hat-trick” të Julio Salinas, në atë që ishte dhe është ende humbja më e thellë që Shqipëria ka marrë në shtëpi gjatë gjithë historisë së saj. Gazetat e Tiranës spekuluan për disa ditë për diçka që nuk shkonte, madje kërkuan hetim nga UEFA, por asgjë tjetër nuk doli.
Nga rezultatet mes Spanjës dhe Shqipërisë bie në sy 9-0 i 19 dhjetorit 1990, po ashtu në rrugën drejt “Euro 1992”, që është turneu i fundit madhor që “La Roja” ka munguar. Ajo ndeshje u luajt në “Ramón Sánchez-Pizjuán” dhe Emilio Butragueño realizoi “poker” golash.
Marrë nga gazeta spanjolle “AS”
Burimi