Tag: historia

  • Chiellini: Historia e Juventusit është e ndërtuar me cikle, duam të fitojmë trofe sa më shpejt

    Chiellini: Historia e Juventusit është e ndërtuar me cikle, duam të fitojmë trofe sa më shpejt

    Giorgio Chiellini, drejtori i strategjive te Juventusi, para anëtarëve të klubit “Urbe Bianconera”, tha: “Historia e Juventusit është e ndërtuar me cikle të mëdha fituese dhe anticikle. Fatkeqësisht, tani jemi në një anticikël ku nuk kemi fituar për një kohë. Shpresojmë të kthehemi sa më shpejt… Ambicia duhet të jetë maksimumi, por nevojitet ekuilibër në gjykime dhe pritshmëri”.
    Ai vuri në dukje ndryshimet në futbollin italian: “Juventusi i 10, 20, 30 viteve më parë nuk ekziston më. Bota ka ndryshuar, bashkë me të edhe futbolli. Nuk mund të bëjmë krahasime me të kaluarën, duhet t’i njohim ato vlera dhe të rifillojmë prej aty”.
    Optimizëm nga “Coppa Italia”: “Goli i bukur i David, fatkeqësisht u anulua, ishte jashtë loje. Për ata që vijnë te Juve, gjithmonë është e vështirë, sidomos nga jashtë. Lëndimi i Vlahovic peshon, por çdo gjë e tillë sjell mundësi për të tjerët. Shpresojmë që David të ketë më shumë hapësirë dhe më pak presion”.
    Për Spallettin: “Karriera e Luciano flet për të. Nuk kam qenë i trajnuar prej tij, por e njoh mirë. Kujdeset për çdo detaj, po rivlerëson shumë lojtarë. Është njeri në mision, jeton për Juventusin”.

  • Rexhep Qosja: Historia dhe atdhetaria e përzgjodhën Ismail Qemalin

    Rexhep Qosja: Historia dhe atdhetaria e përzgjodhën Ismail Qemalin

    Rexhep Qosja

    Historia dhe atdhetaria e përzgjodhën Ismail Qemalin

    Nga Rexhep Qosja

    Gëzuar 28 Nëntori.Sa shumë i rëndësishëm, sa shumë i merituar, sa shumë i madh ai u bë me veprën më të madhe historike: me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.Për t’u bërë çka do të bëhet në historinë e popullit të vet e kishin përgatitur atdhetaria dhe historia. Ai ishte i urtë dhe i dinjitetshëm, i vendosur dhe zemërmadh, i guximshëm dhe i matur, i parimshëm e largpamës. Gjykimi i qartë, sjellja e avashtë dhe gojëtaria përshtypjebërëse e bënin sipëror dhe magjepsës personalitetin e tij. Me veprimin e tij të njësuar ai ishte zotëruesi i situatave dhe zotëria i kohës.Në sajë të virtyteve të tilla ai do të bëhet prijësi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në çastet më vendimtare të saj.Mendja e qartë, përvoja e madhe politike dhe vendosmëria burrërore do t’i bëjnë të mundshme të përzgjedhë ditën dhe të përzgjedhë vendin për shpalljen e veprës së tij madhore: për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.Dhe kjo ditë ishte 28 Nëntori 1912.Dhe ky vend ishte Vlora heroike.Në këtë ditë dhe në këtë vend ai mblodhi delegatët prej të gjitha krahinave shqiptare, të cilët e shpallën Shqipërinë “më vehte, të lirë, dhe të mosvarme” në të gjitha trojet shqiptare. Por Konferenca e ambasadorëve në Londër në vitin 1913 ia shkoqi Shqipërisë së 28 nëntorit 1912 më shumë se gjysmëm e trojeve dhe më shumë se gjysmën e popullsisë shqiptare. Fqinjët ballkanikë dhe fuqitë e mëdha, megjithatë, s’arritën t’ia marrin popullit shqiptar idenë e shqiptarëve të bashkuar e cila historinë shqiptare e ka lëvizur gjatë gjithë shekullit XX dhe po vazhdon ta lëvizë edhe sot, në shekullin XXI.Fryti i kësaj ideje që e ka lëvizur historinë shqiptare do të jetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila me luftën e saj heroike dhe me përkrahjen e SHBA-ve e të Forcave të NATO-s, më në fund, do ta çlirojë Kosovën prej pushtimit të Serbisë e të Jugosllavisë.Pasardhësit e Ismail Qemalit, të Luigj Gurakuqit, të Isa Boletinit, të Hasan Prishtinës e të delegatëve të tjerë të Kuvendit të Vlorës kanë sot dy shtete “më vehte, të lira e të mosvarme” – Shqipërinë dhe Kosovën. Ideja e tyre shtetërore kombëtare kështu është bërë pjesërisht. Por në qoftë se historia u ka dhënë të drejtë dhe ideja e tyre kombëtare – Shqipëria etnike sot është bërë vetëm pjesërisht, mund të shpresohet se ajo pashmangshëm do të bëhet plotësisht.Ismail Qemali në historinë e popullit shqiptar mbetet përgjithmonë i shënuar si Shtetari, që themeloi Shqipërinë shtetërore me kufijt që ajo ka sot; si Profeti i madh i Shqipërisë etnike, çfarë do të jetë ajo nesër; si Demokrati liberal, që e filloi qeverisjen demokratike në jetën kombëtare dhe si Njeriu, që dhuntinë e tij politike e përdori në mënyrat më të denja për punët më të rëndësishme të popullit të vet – domethënë mbetet i shënuar si Personaliteti, që ka kryer mision prijës e parathënës në këtë histori. Është e kuptueshme pse pikërisht populli, njerëzit e thjeshtë me të cilët është përnjësuar ai, e kanë vlerësuar aq bukur këtë mision kur e kanë kënduar në vargjetO ti je Smail Qemali Pas teje vjen historia.

    ————————-

    Natyra dhe historia përzgjodhën Vlorën

    Vlora është qyteti i Bukurisë dhe Vlora është qyteti i Lavdisë shqiptare.Dhe, këtë Bukuri që bashkon det dhe tokë Vlorës ia ka dhuruar Gjeografia.Dhe, këtë Lavdi , që bashkon të shkuarën dhe të përtashmen, Vlorës ia ka dhuruar Historia.Gjeografia dhe Historia, ndër të gjitha qytetet shqiptare, e përzgjodhën Vlorën që të jetë Mendja dhe Zemra Bashkuese shqiptare më 28 nëntor 1912.Gjeografia e Historia e përzgjodhën Vlorën që pikërisht ajo të bëhet edhe çka u bë në historinë e re të popullit shqiptar edhe për disa arsye: pozita gjeografike e bënte më të përshtatshme për ngjarjen e madhe që do të ndodhë aty; visoret e saj, kështjella e saj dhe bregdeti i saj e bënin natyrshëm më të mbrojtur prej rreziqeve që mund t’i kanoseshin ato ditë; traditat e burrërisë dhe trimërisë së banorëve të saj e të rrethinave të saj ishin premtimi më i sigurt për mbrojtjen e personaliteteve historike që do të vijnë aty dhe të veprës së madhe historike që do të krijojnë ata.Por, Gjeografia dhe Historia e përzgjodhën Vlorën për të kryer misionin historik që do të kryejë dhe për një arsye tjetër të madhe: edhe për arsye se ajo ishte qyteti ku kishte lindur Burrështeti i saj i madh: Ismail Qemali.E vlonjati Ismail Qemali ishte ai të cilin nëna natyrë e kishte përgatitur për t’u bërë çka do të bëhet ai në historinë e popullit shqiptar: ai ishte prijësi i lindur për kohën në të cilën do të merreshin vendimet historike për fatin e popullit shqiptar.Ai ishte i parimshëm dhe i dinjitetshëm, i vendosur dhe zemërgjerë, i guximshëm dhe i matur, largpamës dhe parashikues. Gjykimi i tij i qartë, sjellja e tij e avashtë, gojëtaria e tij përshtypjebërëse e bënin sipëror dhe magjepsës personalitetin e tij. Me veprimet e tij të njësuara dhe me mendimet e tij parathënëse ai ishte zotëruesi i situatave dhe, siç është thënë bukur për të, zotëria i kohës.Me të gjitha këto virtyte ai ishte prijësi i mezipritur, që po i dhurohej popullit shqiptar. Në sajë të cilësive të sipërthëna ai do të arrijë të bëhet prijësi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në çastet më vendimtare të saj.Dhe, pikërisht ky prijës i madh do të jetë në gjendje që më 28 nëntor 1912, në Vlorë, të mbledhë rilindës e atdhetarë të tjerë, mendimet dhe veprimet e të cilëve përcaktoheshin prej vlerash morale e shpirtërore e jo prej leverdish lëndore.Atë ditë në Vlorë u bashkuan ata mendimet dhe veprimet e të cilëve prëcaktoheshin prej idealit të madh: që ta bëjnë Shqipërinë të lirë dhe që ta bëjnë Shqiptarin zot në vendin e vet.Atë ditë, në Vlorë, këta idealistë ngritën flamurin kuq e zi, me shqiponjën dykrenore, si simbolin e Shqipërisë së rilindur pas aq shekujsh.Dhe, atë ditë, në Vlorë, këta idealistë mbajtën Kuvendin me delegatë të ftuar prej të gjitha krahinave shqiptare.Atë Kuvend, në të cilin një numër i delegatëve nuk arriti kurrë për shkak të luftërave që po bëheshin në Ballkan dhe në tokat shqiptare, e drejtoi vonjati i madh, Ismail Qemali.Dhe, në atë Kuvend u shpall Shqipëria ”më vehte, e lirë dhe e mosvarme”, e përbërë prej të gjitha trojeve në të cilat shqiptarët ishin popullsi e vetme a shumicë e madhe etnike, që brezat e ardhshëm gjithnjë do ta quajnë Shqipëria etnike.Në atë Kuvend u krijua Qeveria e parë e Shqipërisë së pavarur, e përbërë prej ministrash të cilët mbi pasurinë, mbi mirëqenien dhe mbi jetën e tyre kishin vënë Atdheun dhe Popullin e tyre.Dhe, i parë i këtyre ministrave u zgjodh vlonjati i madh, Ismail Qemali.Duke filluar prej asaj Ditë të madhe, më e madhja në historinë e tyre, shqiptarët mblidhen në Vlorë dhe e kremtojnë 28 nëntorin 1912.Tani, me 28 nëntor, shqiptarët nuk mblidhen dhe nuk kremtojnë si republikanë, socialistë a demokratë; as si toskë a gegë; as si katolikë, ortodoksë a myslimanë; në Vlorë, për kujtim dhe nderim të 28 nëntorit, shqiptarët mblidhen dhe kremtojnë vetëm si shqiptarë. Si shqiptarë të bashkuar, që pashmangshëm do ta bëjnë Shqipërinë e Bashkuar – Shqipërinë etnike.Me idenë e bashkimit në mendje dhe në zemër ata e përmbushin amanetin e paraardhësve të lavdishëm që gjithë ç’patën e flijuan për pavarësinë e Shqipërisë.Kështu ishin 28 Nëntorët e shkuar.Kështu do të jenë 28 Nëntorët e ardhshëm.Kështu do të jetë gjithmonë.Kështu do të jetë derisa të jetë Vlora e Vlora do të jetë Gjithmonë.Këtë rol të madh, historik kombëtar, Vlorës nuk do të mund t’ia marrë kush kurrë. Kurrë. Sepse atë rol të madh, historik kombëtar, Vlorës ia kanë dhuruar Historia dhe Gjeografia. Sepse atë rol të madh, historik kombëtar të Vlorës e kanë në mendje dhe e kanë në zemër të gjithë atdhetarët shqiparë, siç e kishte poeti i saj, i cili në emrin e tyre këndonte:Vlorën edhe Vlorën thelp e kam në zemër.Ditën e kam Dritë, natën e kam Ëndërr.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    REXHEP QOSJA: NJË A DY ATDHE I KANË SHQIPTARËT?

  • I njëjti fat tragjik si i ati që ndërroi jetë në të njëjtën moshë… Historia e dhimbshme që Shpat Kasapi e kujtoi në intervistën e tij të fundit

    I njëjti fat tragjik si i ati që ndërroi jetë në të njëjtën moshë… Historia e dhimbshme që Shpat Kasapi e kujtoi në intervistën e tij të fundit

    Ndarja e parakohshme nga jeta e Shpat Kasapit ka tronditur botën e artit dhe publikun, por ka nxjerrë gjithashtu në pah një detaj rrëqethës nga historia e familjes së tij, duke e bërë dhimbjen edhe më të thellë. Fati tragjik që e goditi këngëtarin këtë muaj, rezulton të jetë i njëjtë me fatin që kishte prekur babain e tij dekada më parë.
    Gazetari nga Maqedonia e Veriut, Tiron Alili, në një lidhje direkte për “Vip Magazine”, zbuloi se Shpati, i cili humbi jetën në moshën 40 vjeçare pas një ataku kardiak në Itali, kishte përjetuar një humbje të ngjashme në fëmijëri. Kur ishte vetëm 13 vjeç, ai kishte humbur babain, ndërsa ishte rritur vetëm në krahët e nënës. Sot, historia përsëritet në mënyrën më të dhimbshme të mundshme, duke e lënë djalin e tij të vogël, Roelin, të përjetojë të njëjtin fat tragjik.
    Vetëm pak javë më parë, në intervistën e tij të fundit për emisionin “1 Kafe me Labin” në RTV21, Shpati foli me ndjenjë dhe mall për etapat e jetës së tij, duke përmendur babain e ndjerë:
    Kur u pyet:
    “Një kafe me kënd do doje ta pije, qoftë edhe me dikë që nuk jeton?”,
    ai u përgjigj me emocion:

    “Me babin do të kisha dashur një përqafim të fortë, pastaj një kafe… Kam qenë shumë i vogël. Ai ishte i veçantë.”

    Në të njëjtën intervistë, me zemër plot mirënjohje, Shpati tha:

    “Selvijes që më ke bërë Roelin dhe që je shumë e mirë… mamit, motrës, vëllait dhe shumë njerëzve që më kanë bërë të ndihem mirë… ju falënderoj, por kurrë nuk mund t’ua kthej.”

    Duke folur për djalin e tij, Shpati tregoi dëshirat e thjeshta e të sinqerta të një babai:

    “Roelin mund të mos bëhet këngëtar, por të bëhet sportist.”

    Fjalë që sot tingëllojnë edhe më prekshëm, duke marrë parasysh tragjedinë e pashpjegueshme që preku të atin, dhe më pas të birin.

  • Pse i njohim Skënderbeut vetëm ditën e vdekjes?!

    Pse i njohim Skënderbeut vetëm ditën e vdekjes?!

    Gjergj Kastrioti- Skënderbeu

    Duke mos ditur saktësisht nga historia ditën e tij të lindjes, Skënderbeu përkujtohet vetëm ditën e përvjetorit të vdekjes. Kështu, çdo 17 janar ai nderohet në memorialin e tij në Lezhë si dhe në një sërë aktivitetesh kulturore, të cilat kanë vetëm karakter honorifik, pasi ai është për të gjithë shqiptarët një mit, një simbol dhe një realitet i përditshëm.

    Nga Ilirjan Gjika

    “Historia botërore mund të kishte marrë një rrugë tjetër, po qe se në vend të perandorëve të zhburrëruar bizantinë, do të kishin qëndruar Skënderbeu dhe shqiptarët” (Volter)

    Vendi ynë, Shqipëria ka vetëm një Hero Kombëtar të shpallur qysh në vitin 1965. Ai është Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, figura e të cilit përfaqëson jo vetëm unitetin kombëtar të shqiptarëve, por edhe trashëgiminë që rrjedh prej tij si: flamurin, një sërë kalash, objektesh, këngësh, tregimesh dhe legjendash popullore. Por figura e tij është edhe ajo e një personi real historik, për të cilin dëshmojnë edhe me dhjetëra dokumente të ruajtura në arkiva, biblioteka dhe muzeume të ndryshme, të cilat dëshmojnë aktivitetin e tij jetësor, ushtarak dhe politik.

    Ndërkohë, Skënderbeu sot mbetet emblematik për të gjithë ne, duke u vërtitur midis mitit dhe realitetit. Kjo gjë ka ardhur për shumë arsye jetësore, të cilat janë të prekshme dhe konkrete në shoqërinë ku ne jetojmë çdo ditë.

    Që për ne, shqiptarët, Skënderbeu është dhe mbetet një mit kjo është më se e vërtetë dhe ka edhe shpjegimin e saj të natyrshëm. Çdokush prej nesh e ka atë “të ngjizur” në ndërgjegjen dhe psikologjinë e vet, që nga koha e fëmijërisë së hershme. Kanë qenë së pari prindërit dhe më pas mësuesit tanë që nëpërmjet librave shkollorë apo ata artistikë, na e kanë “injektuar” e përcjellë këtë gjë. Dhe me të drejtë, sepse himnizimi i figurës së tij ka nisur në Shqipëri qysh gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare diku në mesin e shekullit XIX. Ishin pikërisht pionierët e kësaj lëvizjeje të cilët e shndërruan Gjergj Kastriotin në figurë qendrore të saj, me qëllim që të ringjallnin shpirtin heroik të shqiptarit dhe atdhedashurinë, duke evokuar kështu të kaluarën e lavdishme dhe atmosferën e shekullit XV, kohë kur jetoi dhe luftoi heroi.

    Në këtë proces do të përfshiheshin pothuaj të gjithë ideologët e Rilindjes, por ne do të specifikonim poetin kombëtar, Naim Frashërin, i cili do të himnizonte figurën e Skënderbeut, duke e quajtur me anë të epiteteve artistike si “Fatos” apo “Pëllumb i Shkruar”.

    Tek “Historia e Skënderbeut”, poeti e paraqet atë me tiparet e heroi legjendar duke e idealizuar figurën e tij (Naim Frashëri, Vepra IV, Toena, Tiranë, 2007).

    Po kështu më vonë, gjatë shekullit XX, nuk do të mungojnë veprat letrare që ndikuan në mitizimin e mëtejshëm të figurës së tij. Këtu duhet të përmendim me dhjetëra vepra të letërsisë për fëmijë, por edhe romanet “Kështjella” të Ismail Kadaresë (Ismail Kadare, Kështjella, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1970) apo “Skënderbeu” të Sabri Godos (Sabri Godo, Skënderbeu, shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1975).

    Por ato që ndikuan më shumë në krijimin e mitit të figurës së Gjergj Kastriotit, natyrisht që kanë qenë dhe mbeten tregimet dhe legjendat popullore, të cilat vijojnë edhe sot t’u serviren të vegjëlve dhe fëmijëve qysh në bankat e shkollave. Lë të fokusohemi konkretisht tek njëra prej tyre, të cilën e gjejmë tek libri “Gjuha shqipe”, i cili zhvillohet në klasën e tetë, të shkollave tona 9-vjeçare. E mbledhur në fshatin Rrajcë të Librazhdit, ja se ç’thotë ajo.

    “Skënderbeu kishte një fuqi të vogël në Rrajcë. Turqit me një fuqi (forca) të madhe po i vinin nga lindja. Skënderbeu donte t’u dilte në ballë, por i kishte prerë rrugën një shkëmb.

    Ç’bëri ai? Nxori shpatën dhe i ra shkëmbit fap e fap dhe e ndau në dy. Pastaj u ra turqve dhe i shkatërroi krejt. Shkëmbi duket se është prerë sot dhe quhet Shkëmbi i Skënderbeut” (Grup autorësh, Gjuha shqipe, botimet shkollore “Albas”, 2007, f. 20).

    Ndërkohë, janë edhe qindra këngë popullore që vijojnë edhe sot të këndohen nga populli si pjesë e trashëgimisë sonë shpirtërore.

    Gjithsesi, duhet theksuar se në Shqipërinë moderne figura e Skënderbeut është dhe mbetet një nga faktet më të rëndësishme të vetë ekzistencës së kombit. Për këtë mjafton një vështrim i thjeshtë dhe tangencial i figurës së tij dhe menjëherë vëren se ajo i kalon përmasat e një miti. Kështu, përkrenaren e stilizuar të Skënderbeut e gjen tek simbolet e shtetit shqiptar.

    Po ashtu, edhe flamuri ynë kombëtar është ai që trashëgojmë po prej Skënderbeut. Shtatoret dhe bustet e tij i ndesh sot kudo në sheshet dhe qytetet kryesore të Shqipërisë. Duhet theksuar se emrin dhe mbiemrin e tij e mbajnë klube sportive apo edhe marka më e njohur e konjakut shqiptar quhet “Skënderbeu”. Figurën e heroit e ndeshim edhe tek prerja më e madhe e kartëmonedhave që ka emetuar Banka e Shqipërisë, prerja 5000-lekëshe.

    Ndërkohë, së pak kohë më parë qarkulloi edhe një fotolajm se për nder të një ish lojtari shqiptar që luante me skuadrën bavareze, Bajerni i Mynihut, klubi i njohur gjerman i futbollit, vendosi në stendat e muzeut të tij edhe bustin në miniaturë të heroit tone (Gazeta Panorama sport, Tiranë, dt. 7 janar 2014).

    Të gjitha këto ndikime vijnë, sepse ai është mbi të gjitha një realitet historik, të cilin e dëshmojnë edhe tekstet dhe botimet e ndryshme. Ato na tregojnë një veprimtari të gjerë të këtij “gjeniu” si ushtarak, shtetar, politikan, diplomat apo ligjvënës. Në këtë këndvështrim Gjergj Kastrioti ishte një nga ushtarakët më ta njohur të armatës osmane në kohën kur jetoi.

    Ai e nisi karrierën në ushtrinë e rregullt turke. Me një të kaluar të lavdishme në këtë trupë, befas ai u shndërrua pas 21 vjetësh karriere, në një prej kundërshtarëve, që për 23 vjet sfidoi armatën ku u formua si i tillë. Janë 25 beteja ushtarake midis tij dhe ushtrisë osmane ku ai doli fitimtar. Mund të përmendim këtu edhe tri rrethimet e Krujës, ku dështuan me radhë dy nga sulltanët më të njohur, si Murati II dhe i biri Mehmeti II, Pushtuesi i Kostandinopojës (Selim Islami, Kristo Frashëri, Historia e Shqipërisë, Vëllimi I, Instituti i Historisë, Tiranë, 1959, f. 308-310).

    Gjithashtu, Skënderbeu ishte edhe një figurë e shquar politike, i cili u bë themeluesi i aleancës së Lidhjes së Lezhës dhe i shtetit shqiptar. Në vitet 1444-1451, ai themeloi dhe drejtoi aleancën e princave shqiptarë të njohur nga historia si Lidhja e Lezhës. Në krye të saj ai përballoi sulmet osmane dhe u ndesh edhe me Venedikun. Ndërsa në vitin 1451, pas martesës me Donika Arianitin, ai themeloi shtetin e përqendruar shqiptar. Gjatë qeverisjes së tij vitet 1451-1468, Skënderbeu, si kryetar i këtij shteti, ngriti strukturat dhe mekanizmat e tij si: Kuvendin e Princave, Këshillin e Lartë, Komandën e Ushtrisë, Organet e Financave, Organet e Punëve të Jashtme, Kancelarinë, si dhe e pajisi atë me flamurin, stemën dhe vulën zyrtare (Grup autorësh, Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri, Luarasi, Tiranë, 2005, f. 145-155).

    Gjatë gjithë qeverisjes së Skënderbeut (1444-1468), u krijuan institucionet shtetërore autoktone dhe të qëndrueshme dhe u krijua ushtria e parë kombëtare (Afrim Krasniqi, Sistemet politike në Shqipëri (1912-2008), shtëpia botuese UFO Press, Tiranë, 2009, f. 2). Po kështu, edhe në fushën legjislative Skënderbeu u shqua si ligjvënës dhe kodifikues i të drejtës zakonore, siç ishte Kanuni i Skënderbeut, i cili veproi për një kohë të gjatë deri në shekullin XX, në zonat e Matit, Krujës dhe Dibrës, troje që dikur i përkitnin principatës së Kastriotëve (Grup autorësh, Historia e Shtetit dhe së drejtës… f. 157-168).

    Skënderbeu ishte edhe diplomat i shquar, politika e të cilit ishte e orientuar kah Perëndimi. Lufta 25-vjeçare shqiptaro-osmane bënë që ai të zhvillonte një veprimtari të gjerë diplomatike me disa nga shtetet kryesore perëndimore, si me Venedikun, Napolin, Papatin, Raguzën, Milanon, Hungarinë etj.

    Por Skënderbeu u shqua edhe si ndërtues. Përveç meremetimit të kalave të shumta ekzistuese për nevojat e ngutshme të luftës, ai ndërtoi edhe Kalanë e Rodonit. Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452. Ndërkohë, punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtra raguzianë të ndërtimit, kontrata e të cilëve me të është edhe sot objekt studimi për shumë fusha (Po aty, f. 178).

    Si një figurë e gjithanshme, Skënderbeu edhe sot është në fokusin e vlerësimit nga një sërë shkencash filologjike, nga letërsia, artet apo kinematografia. Emri dhe figura e tij u bënë jo në pak raste edhe “arenë” përpjekjesh për ta tjetërsuar edhe në aspektin etnik. Po kështu, edhe brenda Shqipërisë sonë të vogël kemi teza dhe përplasje autorësh apo grupesh që vazhdojnë akoma edhe sot përplasjet dhe debatet shkencore për origjinën e tij krahinore. Ndërkohë, gjatë Rilindjes, emri dhe fama e tij shërbyen si mjeti kryesor për formimin e ndërgjegjes sonë kombëtare. Evokimi të kaluarës së tij të lavdishme u bë gjatë luftërave për liri dhe solli nxitjen dhe frymëzimin popullor që çoi në fitoren e Pavarësisë Kombëtare.

    Figura e tij është bërë prej kohësh objekt i aktivitetit krijues të shumë artistëve shqiptarë dhe të huaj, duke nisur që nga Xhentile Benini, Lavardini, Antonio Vivaldi, Henri Longfellou, Vivaldi apo Barleti, Kadare, Xega, Odhise Paskali, Janaq Paço e Naxhi Bakalli, të cilët e kanë bërë atë subjekt të veprave të tyre. Skulptura të tij të tipit ekuestër i gjen në Tiranë, Krujë, Prishtinë, Shkup apo Romë, ndërsa buste dhe shtatore të tij i kemi në qytetet më të njohura të botës si në Detroit, Londër, Bruksel, Vjenë, Budapest, Gjenevë, etj.

    Gjithsesi, duke mos ditur saktësisht nga historia ditën e tij të lindjes, Skënderbeu përkujtohet vetëm ditën e përvjetorit të vdekjes.

    Kështu, çdo 17 janar ai nderohet në memorialin e tij në Lezhë si dhe në një sërë aktivitetesh kulturore, të cilat kanë vetëm karakter honorifik, pasi ai është për të gjithë shqiptarët një mit, një simbol dhe një realitet i përditshëm.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    ARENA 2700-VJEÇARE: NE SI SHQIPTARË, KEMI AMFITEATRIN MË TË MADH NË BALLKAN!

  • Presidenti i Polonisë: Historia na mëson se Rusia mund të mposhtet

    Presidenti i Polonisë: Historia na mëson se Rusia mund të mposhtet

    Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, tha në një leksion në Universitetin Charles në Pragë se historia mëson se Rusia, e cila sipas tij është armiku kryesor i Evropës dhe një vend që nuk respekton marrëveshjet e rëna dakord dhe të nënshkruara, jo vetëm që mund të frenohet, por edhe të mposhtet.

    “Historia na ka treguar se Rusia, qoftë perandorake, qoftë bolshevike, qoftë sovjetike, jo vetëm që mund të ndalet, por edhe të fitojë. Sa herë që është mundur, ajo ka sjellë një valë ndryshimesh politike”, tha Nawrocki, duke iu referuar luftërave të shekujve 19 dhe 20, që përfunduan me disfatën sovjetike në Afganistan.

    Presidenti polak shprehu shpresën se Ukraina do të jetë në gjendje të luftojë kështu dy armiqtë e saj kryesorë – me Rusinë, por edhe me armikun e saj të brendshëm, që është korrupsioni.

    “Sfidat e jashtme janë ekzistenciale – neo-imperializmi rus i rilindur. Sfidat e brendshme nuk janë aq të dukshme”, tha Nawrocki në lidhje me kërcënimet kryesore ndaj Polonisë dhe Evropës.

    Ai ia kushtoi pjesën më të madhe të leksionit numërimit të kërcënimeve që, sipas tij, po vijnë nga Brukseli për vendet më të vogla dhe akuzoi Bashkimin Evropian se po përpiqet të centralizojë Evropën nën maskën e federalizimit duke u hequr sovranitetin të gjitha kombeve, përveç dy vendeve anëtare më të forta.

    Nawrocki tha se pavarësisht bindjes së përhapur, nacionalistët konservatorë polakë, përfshirë edhe veten e tij, nuk janë armiq të BE-së. “BE-ja është mjedisi ynë natyror. Por të jemi të sinqertë, ky nuk është Bashkimi i ëndrrave tona. Ne hymë në BE, i cili supozohej të na jepte mundësi ekonomike. Dhe ashtu ndodhi. Ne hymë që të mund të përdornim zonën Shengen. Dhe ne e përdorim atë. Por qëllimi nuk ishte që BE-ja të diktonte kushtet e rendit tonë shoqëror, atë që hamë apo të edukonte fëmijët polakë”, tha Navrocki.

    Presidenti polak paraqiti gjithashtu disa propozime se si të ndalohen përpjekjet për integrim më të thellë të BE-së dhe centralizimin e saj, dhe të kthehet një pjesë e kompetencave që i përkisnin BE-së në nivel kombëtar, njësoj si para miratimit të Traktatit të Lisbonës.

    Karol Nawrocki po viziton sot Republikën Çeke, ku së bashku me Presidentin e Republikës Çeke, Peter Pavel, vlerësoi unanimisht se Rusia është kërcënimi më i madh për sigurinë dhe demokracinë në të gjithë Evropën dhe se është në interesin kombëtar si të Polonisë ashtu edhe të Republikës Çeke të vazhdojnë të ndihmojnë Ukrainën në mënyrë që vendi të mos i nënshtrohet agresorit.

    Si Paveli ashtu edhe Navrocki e mirëpritën me kujdes faktin se po bëhen ndryshime rrënjësore në planin e fundit të paqes SHBA-Rusi për Ukrainën, dhe kjo nuk është më vetëm në dëm të Ukrainës dhe vendeve të krahut lindor të NATO-s, por në dobi të Rusisë.

    Të dy deklaruan në konferencën për shtyp se bashkëpunimi në grupin e Vishegradit, për shkak të qëndrimit të Hungarisë dhe Sllovakisë ndaj luftës në Ukrainë dhe mbështetjes së tyre për Rusinë, nuk mund të rivendoset plotësisht, por se është e nevojshme të rivendoset bashkëpunimi në ato fusha ku nuk ka mosmarrëveshje, siç janë, për shembull, objektivat klimatike ose migrimi, siguria energjetike.

    Kryeministri i ardhshëm çek, Andrej Babiš, u takua gjithashtu sot me Navrockin, dhe një nga temat ishte ripërtëritja e bashkëpunimit me Hungarinë dhe Sllovakinë brenda Grupit të Vishegradit.

    “Dua të rinovoj bashkëpunimin aty ku biem dakord. Nëse disa vende të V4 kanë një qëndrim të ndryshëm ndaj luftës në Ukrainë, kjo nuk do të thotë që nuk mund t’i zgjidhim së bashku lejet për emetimin e gazrave ndotëse ETS2, migrimin e paligjshëm, mbi të gjitha energjinë dhe gjëra të tjera që shqetësojnë Evropën”, tha ai pas takimit me Presidentin polak Andrej Babiš.

  • “Polonia ka histori? Edhe ne kemi filluar të bëjmë histori”, Altin Lala është optimist: Kemi shanse t’i eleminojmë

    “Polonia ka histori? Edhe ne kemi filluar të bëjmë histori”, Altin Lala është optimist: Kemi shanse t’i eleminojmë

    Altin Lala është optimist për ndeshjet ‘play off’ të Kombëtares. Ish-mesfushori i Hanoverit, në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Paso” në “Top Albania Radio”, ka thënë se Shqipëria i ka shanset për ta eleminuar Poloninë. Sipas tij, historia e polakëve nuk duhet të ndikojë negativisht për ekipin tonë kombëtar, pasi historia shkruhet dita-ditës me fitore.
    “Unë e shoh shortin pozitiv. Poloninë e njohim. Kemi zhvilluar disa ndeshje dhe e kemi mposhtur. Kështu që, me shumë dëshirë dhe duke pasur një ditë të mirë jam i bindur që në Poloni do të kemi shanse ta eliminojme Poloninë. Edhe me penallti ndoshta. Polonia ka histori? Tani kemi filluar edhe ne të bëjmë histori. Historia shkruhet kur fiton. Kështu që ne duhet të fitojmë.
    Levandovski është një golashënues që duhet ta kemi kujdes. Mbrojtja jonë ka funksionuar. Ne kemi pësuar shumë pak gola, vetëm ndaj Anglisë. Kemi shanse të mira.”, ka thënë Altin Lala./Sport Ekspres/

  • Yamal: Stadiumi në Montjuïc ishte fillimi, në “Camp Nou” do të zhkruhet historia

    Yamal: Stadiumi në Montjuïc ishte fillimi, në “Camp Nou” do të zhkruhet historia

    Lamine Yamal (18 vjeç) mezi pret të rikthehet të luajë në “Spotify Camp Nou”. Pas postimit të së shtunës, ku shprehu emocionin e tij me një foto të stadiumit të rinovuar dhe mesazhin “netë të veçanta po vijnë”, talenti i ri ka ndryshuar edhe foton e profilit në Instagram, duke treguar me dorë stemën e Barçës, të shoqëruar me një tjetër mesazh ambicioz për të ardhmen.
    “Montjuïc ishte fillimi. ‘Camp Nou’ është vendi ku do të shkruhet historia”, – citon Lamine Yamal, duke lënë të qartë se synon të mbretërojë në tempullin blaugrana.
    Duhet kujtuar se Lamine Yamal ka luajtur vetëm një herë në “Spotify Camp Nou”, para rinovimit të tij. Ishte dita e debutimit me ekipin e parë të Barçës, më 29 prill 2023, kur luajti shtatë minutat e fundit në fitoren 4-0 ndaj Betis. Tani, i konsoliduar si një nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror, ai kërkon të bëjë histori në shtëpinë e re të Barcelonës.

    Lamine Yamal do të luajë vetëm ndeshjen e tij të DYTË në “Camp Nou”, këtë të shtunë, ndërsa Barcelona do të kthehet në stadiumin e saj ikonik.
    29 prill 2023: Lamine luajti ndeshjen e tij të parë në “Camp Nou”.
    22 nëntor 2025: Lamine dhe Barça do të kthehen në shtëpinë e tyre.

  • Integrimi evropian, Balla Në një kohë që historia na kujton ndarjet, le të zgjedhim bashkimin

    Integrimi evropian, Balla Në një kohë që historia na kujton ndarjet, le të zgjedhim bashkimin

    Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaron se integrimi europian mbetet rruga strategjike dhe qëllimi i përbashkët i Shqipërisë, në funksion të ndërtimit të një shteti më të fortë brenda një Europe më të bashkuar.

    Ndërsa, BE po diskuton ende dhe vendet e Ballkanit Perëndimor presin vendime konkrete për ecurinë drejt anëtarësimit, Balla e vendos theksin veçanërisht te Kosova, duke e përfshirë qartë në listën e vendeve që duhet të jenë pjesë e valës së re të zgjerimit të BE-së.
    “I takon vendimmarrjes së duhur në kohën e duhur të Bashkimit Europian që në këto kohë të vështira për kontinentin tonë, që nga Lufta e Dytë Botërore, thëniet e mençura, këshillat e mençura të etërve themelues, të mundësojnë sa më shpejt të jetë e mundur një valë të re zgjerimi për të parë Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën si anëtarë të tjerë të Bashkimit Europian.“, shprehet ai.
    Një një kohë që historia na kujton ndarjet, le të zgjedhim bashkimin si rrugën e vetme përpara ishte mesazhi i Ballës në një deklaratë ku iu referua përvjetorit të rënies së Murit të Berlinit, të përkujtuar pak ditë më parë. “U shënuan 36 vite nga rënia e Murit të Berlinit, por  Europa nuk është ende e bashkuar siç do të kishte dashur ta shihte Altiero Spinelli”, shton ai.

    Top Channel

  • Basri Çapriqi: Historia e letërsisë shqipe është shembulli më ekstrem ku historia gllabëron tërësisht letërsinë

    Basri Çapriqi: Historia e letërsisë shqipe është shembulli më ekstrem ku historia gllabëron tërësisht letërsinë

    Nga Basri Çapriqi

    Words, words, nothing but words… (fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë) është një frazë e shkëputur nga Shekspiri dhe e vënë moto e kongresit të PEN- it Ndërkombëtar, organizatës më të madhe të shkrimtarëve të të gjithë botës, organizuar sivjet në kryeqytetin e kulturës europiane të këtij viti në Linz të Austrisë. Një arsenal i fuqishëm vizuelo- teknik është përdorur për të dominuar kryeqytetin e kulturës europiane me këtë frazë të Shekspirit, për të tërhequr vëmendjen e lexuesit nga pushtetet e fuqishme tek pushteti i fjalës si dhe për të kthyer edhe një herë vëmendjen e krijuesit kah fuqia e fjalës. Kambana të këtilla që vihen në veprim gjithnjë e më shpesh janë sinjale që kërkojnë të aktivizojnë me tërë fuqinë mekanizmin e litararitetit, shpeshherë të rrezikuar apo të hedhur në plan të dytë, kur bëhet fjalë për artin letrar, prezantimin e librit dhe interpretimin e vlerave letrare, hartimin e historive të letërsisë dhe mësimin e letërsisë në sistemin shkollor.

    Historia e letërsisë si degë e shkencës së letërsisë, që në fillet e veta, këtu e 200 vjet më parë ka rënë në kthetrat e historisë dhe për fatin e keq të saj, asnjëherë nuk ka arritur të dalë përfundimisht nga pushtimi i saj. Shekulli XIX dhe shekulli XX janë dy shekuj ku historia e letërsisë kërkon identitet, kërkon objektin dhe qëllimin e saj të qartë dhe sipas të gjitha gjasave asnjëherë nuk është arritur të ftohen debatet kundërshtuese që kulmojnë me atë pyetjen: a mund të ketë letërsia histori. Fati i keq për artin letrar koincidon edhe me dominimin e metodës pozitiviste në hartimin e historive të letërsisë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX e në disa vende edhe më vonë deri gati në fund të shekullit XX siç ndodh me letërsinë shqipe. Te shumë popuj, historitë e letërsisë, të kualifikuara si klasike janë hartuar gjatë kësaj kohe.

    Historia e letërsisë shqipe është shembulli më ekstrem ku historia gllabëron tërësisht letërsinë. E supozuar si një hulumtim dhe studim i veprave letrare dhe autorëve të tyre në një rrjedhë historike të krijimit dhe zhvillimit të saj, historia e letërsisë bëhet fushë ku lëvizin jo autorë veprash letrare po bartës të kauzës së kombit, të çlirimit e te përgatitjes së terrenit ideologjik ku do të zhvillohen betejat e mëdha të historisë. Historia ka imponuar vijat të cilat duhet t’i ndjekë me përpikmëri historia letërsisë gjatë procesit të periodizimit ku ka përputhur deri në absurditet shtrirjen e formacioneve letrare me kufijtë e epokave historike, me fillimet e revolucioneve politike apo me datat e formimit të të lëvizjeve kombëtare që kanë lëvizur fatet e kombit. Rrjedhimisht, periudhat letrare janë emërtuar me terme historike duke lejuar në këtë mënyrë dominimin total të historisë së letërsisë nga historia. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me letërsinë shqiptare sado që në rastin e letërsisë sonë herë herë, defektet marrin përmasa karikatureske. Sadoqë janë botuar histori të letërsisë me metodologji shumë moderne, nëpër vende të ndryshme, duke shkuar deri në shkëputje totale të çdo lidhjeje që ka prodhimi letrar me historinë dhe rrethanat shoqërore, historitë e letërsisë të quajtura klasike kanë vazhduar të mbajnë, për çudi, gjithë frenat e referencave mbi trashëgiminë letrare si dhe një pronësi në marketimin e vlerave letrare.

    Ndërrimet e epokave historike, sidomos në rastet kur ndërrohet një sistem politik i cili ka prekur drejtpërdrejt lirinë e fjalës dhe zëvendësohet me një tjetër ku liria e fjalës bëhet pjesë fundamentale e lirisë në përgjithësi, nuk ka se si të injorohet nga historianët e letërsisë. Kufijtë e epokës historike detyrimisht do të përputhen me kufijtë e periudhave letrare. Kjo që ka ndodhur në decenien e fundit të shekullit XX në Europën e Lindjes me rënien e komunizmit, ka prekur drejtpërdrejtë gjuhën e letërsisë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, kur shtetet e Europës së Lindjes u katandisën brenda një perandorie ku ndalimi i fjalës së lirë dhe censura bëhet fundament i filozofisë së stabilitetit të shtetit. Këto përmbysje sistemesh politike prekin drejtpërdrejt natyrën e artit, stilet letrare, metodat e studimit si dhe format e receptimit. Por, historianët e letërsisë, madje as nën presionin e këtyre thyerjeve të cilat detyrimisht përputhen edhe me ndërrimet e periudhave letrare nuk mund të lejojnë që tërë arsenali terminologjik politik të okupojë terminologjinë e shkencës së letërsisë.

    Historitë e letërsisë janë shndërruar në histori të ideve të mëdha të cilat lidhen me krijuesit e tyre, me shkrimtarët. Edhe historia e letërsisë shqipe është histori e gjithë ideve të mëdha që kanë lëvizur kombin në tërë historinë e zhvillimit të tij. Po a mund të mos jetë kështu. Hajdeger thotë se të gjitha idetë e mëdha kanë lindur në letërsi dhe pastaj janë zhvilluar diku tjetër. Prandaj nuk mund të bësh histori të letërsisë pa histori të ideve të krujuara nga vetë shkrimtarët dhe nga letërsia. Po Eliot ka mendimin se idetë që lindin në letërsi nuk kanë ndonjë peshë të madhe madje as ato që dalin nga veprat e Shekspirit. Janë fusha të tjera ku idetë marrin zhvillim me përmasat që arrijnë të lëvizin globin. Prandaj historia e letërsisë nuk mund të shndërrohet në regjistrues dhe as në katalog të ideve ashtu sikundër nuk mund ti konsiderojë idetë të pa peshe për letërsinë.

    Po kush janë autorët dhe si zënë ata vend në kierarkinë e e vlerave të përgjithshme? Historia e letërsisë shqipe njeh dy farë autorësh, deri në decenien e fundit të shekullit XX. Autorë si Vëllezërit Frashëri, De Rada,Migjeni, Fan Noli, Dritero Agolli, Gjerqeku, Esad Mekuli, Hivzi Sulejmani, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj apo Kadare të cilët përveçëse janë autorë të një pjese të trashëgimisë letrare që vlerësohet në të gjitha kohët e pakontestueshme, janë të vlerësuar dhe janë në paqë me shtetin. Me ta insiston të identifikohet shteti sa herë që i duhet të ketë dekore kulturore. Një gjë të këtillë e bën Mbretëria e Bashkuar me Shekspirin duke u identifikuar me trashëgiminë e tij si një trashëgimi mbretërore. Përmendet Teatri i Shekspirit ku luhen vetëm veprat e këtij kolosi gjatë tërë vitit dhe ku mbretëria shkëlqen në sfondin kulturor shekspirian. Kritikët akuzojnë Mbretërinë jo Shekspirin.

    Në anën tjetër janë autorët me të cilët shteti është në armiqësi si Gjergj Fishta, Koliqi, Camaj, Pipaj, Lasgushi, Konica,Trebeshina, Demaçi, Jusuf Gërvalla etj. Me këta shteti provon të identifikohet që nga decennia e fundit e këtej me një dozë revanshi ndaj të parëve. Historianët e letërsisë e kanë ndjekur si me inercion, për cudi, këtë trase që e skicon më parë historia. Edhe autorë si Lasgush Poradeci, Martin Camaj apo Anton Pashku, si tre nga shkrimtarët më apolitikë që ka njohur letërsia shqipe, si tre shkrimtarët më të paangazhuar që synonin një art të pastër, janë vendosur në taborrin e shkrimtarëve që medoemos bartin kauzën e kombit të angazhuar për të përmbysur pushtete. Të gjithë ata që i kanë ngritur mbi këtë piedestal nuk u kanë bërë ndonjë shërbim të mirë, i kanë vënë në piedestal të gabuar, aty ku ata nuk kanë synuar asnjëherë.

    Këto 20 vitet e fundit, kritikë, studiues, historianë të letërsisë, me synimin për të sanuar defektet e historisë të shekullit të mëparshëm ku shkrimtarë të shquar janë ekskomunikuar dhe përjashtuar nga historia e letërsisë si dhe nga jeta letrare e intelektuale në përgjithësi me mekanizma politike, shpeshherë me po ato mekanizma janë munduar t’i kthejnë në vendin e tyre. Meqë kanë pranuar të përdorin të njëjtin mekanizëm, pra joletrar, për tu dhënë vendin e vet të merituar e më parë të mohuar, ata nuk i kanë kontribuar shumë krijimit të një historie të letërsisë ku hierarkia ndërtohet me mekanizmin letrar. Për të hipur në rendin e parë të kësaj hierarkie, për çudinë e gjithë neve, nuk mjafton vepra letrare, qoftë edhe opuse grandiose titujsh. Me peshe ka një letër dërguar diktatorit. Disidenca bëhet mekanizmi kryesor që i hip dhe i zhdryp autorët letrarë në krye të hierarkisë. Përsëri një mekanizëm joletrar, sado fisnik e me vlerë është ky kapitull në fondin e aktivitetit qytetar të autorit.

    Andaj mendoj se është i dobishëm fakti që historianët shqiptarë të letërsisë nuk u morën vesh apo nuk arritën të bëjnë ndonjë histori të letërsisë nën këtë presion të madh të historisë. Tash pas 20 vitesh më duket se u thanë të gjitha, çduhej thënë dhe mbase, çnuk duhej thënë. U hoqën lavdet e shpifura vënë mbi disa autorë në të shkuarën dhe u shpifën lave të reja e u vunë mbi të tjerë. Është koha t’i bashkohemi motos që kanë vënë gjithandej shkrimtarët e botës me frazën e Shekspirit: Words, words, nothing but words…

    2009

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    BASRI ÇAPRIQI: DRITAREN LËRE HAPUR

  • “Historia e ushtarit”, Florian Vlashi: Një nga 3 veprat kulmore të historisë së muzikës së dhomës të shekullit XX

    “Historia e ushtarit”, Florian Vlashi: Një nga 3 veprat kulmore të historisë së muzikës së dhomës të shekullit XX

    Nga Julia Vrapi  
    “Historia e ushtarit” e kompozitorit Igor Stravinsky-t është një nga veprat më të veçanta të shekullit të njëzetë. Vepra e kompozitorit të famshëm Stravinsky u soll nga instrumentistët e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura nën drejtimin e violinistit të njohur Florian Vlashi dhe interpretimin e aktores së njohur Ema Andrea. “Historia e ushtarit” e Stravinsky-t një nga veprat më të veçanta muzikore dhe një bashkim mes muzikës dhe teatrit. Një mbrëmje e veçantë artistike këtë fillim nëntori në qytetin e Durrësit me veprën “Historia e ushtarit”, që vijoi më pas edhe në Tiranë. Violinist i njohur Florian Vlashi që luajti këtë vepër shprehej më herët se “Historia e ushtarit” e Stravinskit është një nga tre veprat kulmore të historisë së muzikës së dhomës të shekullit XX.
    “Një privilegj për mua të luaj “Historinë e ushtarit” të Stravinski-t në Durrës (të shtunën më 1 nëntor) dhe Tiranë (2 nëntor) me aktoren e shkëlqyer Ema Andrea dhe për herë të parë në Shqipëri me solistët shqiptarë. Është një nga 3 veprat kulmore të historisë së Muzikës së Dhomës të shekullit XX (bashkë me Messiaen “Quatuor pour la fin du temps” dhe “Pierot Lunaire” nga Schoenberg). Kjo muzikë mjeshtërore, veç kompleksitetit ekstrem, ka dhe një mesazh të madh: shitja e shpirtit (violinës) për pasuri e pushtet të çon në territorin e Djallit. Një Faust modern. Faleminderit Arben Skënderit për ftesën dhe për iniciativën e guximshme!”, shprehej violinisti i njohur  Florian Vlashi në një reagim të tij.
    Florian Vlashi i lindur në Durrës e zhvillon aktivitetin artistik dhe profesional në Spanjë dhe është ndër artistët, që ka ndërtuar një karrierë të suksesshme. Një artist i njohur, që për publikun tonë këto ditë luajti veprën “Historia e ushtarit” të kompozitorit të famshëm Igor Stravinski. Një nga veprat më të bukura dhe më të vështira në interpretim, por njëkohësisht një ndër më kulmoret e krijimtarisë së kompozitorit Stravinski u rikthye në Durrës për publikun, i cili vlerësoi artistët që dhuruan një mbrëmje të veçantë artistike më 1 nëntor. Vepra e Stravinskit u shoqërua me interpretimin e instrumentistëve Roni Gjura kontrabas, Reinald Foci trompe, Marvin Vrapi trombone, Igli Zeqiri klarinetë, Erald Ibraliu fagot dhe Gridi Kraja perkusioin.
    Kompozimi i veprës
    Kompozitori Igor Stravinsky e kompozoi këtë vepër, ndërsa Europa ishte ende në shokun e Luftës së Parë Botërore. Vepra shënon një moment të rëndësishëm në zhvillimin e Stravinsky-t post-rus: ai heq dorë nga orkestracionet e mëdha dhe kthehet tek format ekonomike dhe virtuoziteti ritmik.  Igor Stravinsky është një nga kompozitorët më me influencë të shekullit XX-të, i cili fitoi famë botërore edhe me tre pjesët për balet “Zogu i zjarrtë” , “Petrushka” dhe “Riti i pranverës”. Igor Stravinsky, (17 qershor 1882 Rusi – 6 prill 1971 Nju Jork) ishte një kompozitor, pianist dhe dirigjent rus, i njohur anembanë si një nga kompozitorët më të rëndësishëm dhe më ndikues të muzikës së shekullit të 20-të.