Vuçiç: S’është e vërtetë se në Kosovë nuk funksionojnë institucionet serbe
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha të mërkurën se “nuk ka hapësirë në Republikën e Kosovës për institucionet e Serbisë”, duke komentuar aksionin e së premtes për mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe në veri të vendit.
Krasniqi i tha Radio Televizionit të Kosovës se “kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë”.
Pak më herët të mërkurën, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha se “nuk është e vërtetë se në Kosovë nuk funksionojnë institucionet serbe”, duke përmendur se “janë duke funksionuar dy më të rëndësishmet, shëndetësia dhe arsimi”, raportuan mediat në Beograd.
Vuçiç i bëri këto komente duke iu përgjigjur pyetjeve të disa gazetarëve gjatë një vizite në Podrinje.
Autoritetet e Kosovës të premten e javës së kaluar i mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të vendit, përfshirë komunën paralele të Mitrovicës dhe kjo nxiti një reagim të ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.
Burimi