Vuçiç: Brenda 72 orëve do t’i deklarojë masat kundër sulmeve ndaj serbëve në veri të Kosovës

Vuçiç: Brenda 72 orëve do t’i deklarojë masat kundër sulmeve ndaj serbëve në veri të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se në 72 orët e ardhshme do t’i drejtohet publikut dhe siç ka thënë ai, do t’i deklarojë qartë kërkesat dhe masat kundër sulmeve ndaj serbëve në veri të Kosovës.
Pas një takimi me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe me ambasadorin amerikan, Christopher Hill, ai ka thënë se masat dhe kërkesat e propozuara do të jenë “serioze”, shkruajnë mediat serbe.
Veç kësaj, Vuçiq ka bërë të ditur se gjatë muajit tetor do të prezantojë planin dhe masat për Kosovën në Kuvendin e Serbisë.
“Jam gati për dialog, jam gati të shkoj të bisedoj me (Albin) Kurtin, të dialogojmë në Bruksel. Megjithatë, unë nuk do të lejoj persekutimin e popullatës sime dhe është fare e qartë se ky është qëllimi i vetëm i qeverisë së Kurtit”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Ai ka bërë të ditur se ka pasur “biseda dy orëshe, të ndara dhe të kombinuara” me Lajçak dhe Hill.
“Është e pritshme që gjatë tetorit të dalim me propozime të gjera dhe shumë të rëndësishme para Kuvendit Kombëtar, do të kemi shumë takime të rëndësishme, duhet të luftojmë për pozitën e Serbisë në botë, të kërkojmë aleatë”, ka thënë ndër tjerash ai. 
Burimi