Vriten gjashtë punonjës të OKB-së në një tjetër sulm izraelit në Gazë
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) ka njoftuar se gjashtë nga punonjësit e saj janë vrarë në një sulm ajror izraelit në një shkollë në Gazën qendrore.
Agjencia e Mbrojtjes Civile e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, tha se gjithsej 18 persona u vranë në sulmin në shkollën al-Jaouni në kampin e refugjatëve Nuseirat, e cila po përdoret si strehë nga mijëra palestinezë të zhvendosur.
Ndërkohë, ushtria izraelite tha se kreu një “sulm të saktë ndaj terroristëve” dhe se kishte marrë masa për të shmangur dëmtimin e civilëve.
Bëhet e ditur se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres e dënoi sulmin, duke thënë: “Ajo që po ndodh në Gazë është krejtësisht e papranueshme”.
“Këto shkelje dramatike të ligjit ndërkombëtar humanitar duhet të ndalen tani”, tha Guterres.
UNRWA tha se sulmi shënoi “numrin më të lartë të vdekjeve në mesin e stafit në një incident të vetëm” që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit në tetor.
Ajo gjithashtu vuri në dukje se ishte hera e pestë që shkolla goditet gjatë 11 muajve të fundit, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Në korrik, 16 persona thuhet se u vranë në një sulm për të cilin ushtria izraelite tha se kishte shënjestruar disa struktura në shkollën e përdorur nga luftëtarët e Hamasit.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i ambasadorit të Izraelit në OKB, Danny Danon.
“Është e pandërgjegjshme që OKB-ja vazhdon të dënojë Izraelin në luftën e tij kundër terroristëve, ndërsa Hamasi vazhdon të përdorë gratë dhe fëmijët si mburoja njerëzore”, tha Danon.
Videot e pasojave të sulmit në shkollë treguan qindra njerëz duke inspektuar katin e dëmtuar rëndë të një krahu të shkollës al-Jaouni, si dhe mbetjet e një strukture ngjitur që dukej se ishte shkatërruar.
Pamjet e tjera treguan ambulancat që sillnin të plagosur burra, gra dhe fëmijë që ishin plagosur në sulm në spitalin al-Aksa në qytetin e Deir al-Balah.
Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile, Mahmoud Bassal tha se 18 njerëz u vranë, duke përfshirë anëtarë të stafit të UNRWA, fëmijë dhe gra, dhe se 18 të tjerë u plagosën.
Më vonë, Unrwa tha në një deklaratë se dy sulme ajrore kishin goditur shkollën dhe rrethinën e saj, ku jetonin rreth 12,000 njerëz të zhvendosur, kryesisht gra dhe fëmijë.
Disa orë para incidentit, organizata deklaroi në një raport se pothuajse 70% e shkollave në Gazë ishin goditur gjatë luftës.
Burimi