Vatra zjarresh aktive në vend, qeveria e RMV-së shpall gjendje krize 30 ditore
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka marrë vendimin për shpalljen e gjendjes së krizës prej 30 ditësh për shkak të zjarreve.
Qeveria udhëzoi Ministrinë e Brendshme të punësonte forca policore për të mbështetur shuarjen e zjarrit; Ministria e Shëndetësisë dhe personeli shëndetësor nga mjekësia e përgjithshme dhe ajo e punës duhet të jenë në gatishmëri gjatë kohëzgjatjes së krizës; Ministria e Financave duhet të sigurojë burime financiare shtesë të dedikuara nëse tregohet nevoja për këtë.
Qeveria i propozoi kryetares Gordana Siljanovska-Davkova që të vendosë për pjesëmarrjen e disa pjesëtarëve të Armatës në ballafaqim me situatën e krizës, ndërsa Shtabi kryesor për menaxhimin e krizave në Qendrën për menaxhimin e krizave (QMK) të monitorojë situatën, të koordinojë me aktivitetet dhe të informojë rregullisht Qeverinë.
Shtabi kryesor në QMK ka për detyrë të nisë menjëherë përgatitjen e një plani veprimi për parandalimin dhe trajtimin e zjarreve, si dhe një rishikim të plotë të burimeve njerëzore dhe materialo-teknike në dispozicion dhe një plan për veprim të koordinuar.
ARM-ja njoftoi se që nga mëngjesi i sotëm, njëqind pjesëtarë të ushtrisë dhe dy helikopterë MI 8/17 nga Krahu i Aviacionit janë përfshirë në shuarjen e zjarrit në rajonin e gjerë të Negotinë dhe malin Serta.
Burimi