‘Trump premtoi të zgjidhë konfliktin’, ambasadori rus në OKB: Moska gati për diskutime me presidentin e ri
Ambasadori i Rusisë në OKB, Genadi Gatilov tha se Moska ishte e hapur për negociata për përfundimin e luftës në Ukrainë, nëse diskutimi niset nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, por tha se çdo bisedim duhet të bazohet në realitetet e përparimeve ruse.
Trump ka kritikuar vazhdimisht shkallën e ndihmës perëndimore për Kievin dhe ka premtuar t’i japë fund konfliktit me shpejtësi.
Fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale këtë muaj ka nxitur shqetësime në Kiev dhe kryeqytete të tjera evropiane për shkallën e angazhimit të ardhshëm të SHBA-së për të ndihmuar Ukrainën.
“Trump premtoi të zgjidhte krizën ukrainase brenda natës,” tha Gatilov.
“Mirë, le të provojë. Por ne jemi njerëz realistë, sigurisht e kuptojmë që kjo nuk do të ndodhë kurrë. Por nëse ai fillon apo sugjeron diçka për të nisur procesin politik, është e mirëseardhur”, u shpreh ai.
Ai shtoi se çdo negociatë e tillë duhej të bazohej në atë që ai i quajti “realitetet në terren”, duke e përshkruar Ukrainën si të pa favorizuar nga rrethanat.
Forcat ruse po përparojnë me ritmin më të shpejtë në të paktën një vit në Ukrainë dhe tani kontrollojnë rreth një të pestën e vendit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thënë vazhdimisht se paqja nuk mund të vendoset derisa të dëbohen të gjitha forcat ruse dhe të kthehet i gjithë territori i pushtuar nga Moska, përfshirë Krimenë.
Burimi