‘Ti je idioti, ti je dështaku‘: 90 minuta të mjerueshme të Biden-it kundër Trump-it
Ajo zhurmë tronditëse ishin nofullat e njerëzve që binin në dysheme. Tingulli i pakëndshëm ishin zemrat që po fundoseshin. Zëri i ngjirur ishte një president amerikan që simbolizonte atë që dukej si gulçimi i fundit i një republike të dështuar.
Thuaj që nuk është kështu, Joe.
Debati i parë presidencial amerikan në Atlanta të enjten ishte nata kur demokratët kaluan nga “Mos t’ju zërë paniku!” në “Mirë, është koha për të na zënë paniku!” Pas muajsh përgatitjesh dhe pritjeje, ata dolën në altar dhe papritur kuptuan se po martoheshin me burrin e gabuar.
Në 90 minuta të mjerueshme, Joe Biden arriti dy gjëra që dukeshin të pamundura. Përmbushi pritshmëritë që tashmë kishin prekur fundin. Dhe arriti të bëjë që Donald Trump-i të tingëllojë pothuajse koherent. Nuk e fitoi Trump-i debatin, por ishte Biden-i ai që e humbi.
Pati një heshtje të përmortshme kur presidenti, me kravatë blu dhe me stemën e flamurit, dhe Trump, me kravatë të kuqe dhe me stemën e flamurit, hynë në studion e kuqe, të bardhë dhe blu të CNN-it. Ky ishte debati i parë presidencial pa audiencë që nga John F Kennedy kundër Richard Nixon-it në vitin 1960 (ata dy kandidatë kishin një moshë të kombinuar 90 vjeç; kësaj here ata kishin një moshë të kombinuar 159 vjeç).
Gazetarët në Atlanta u detyruan të shikonin në televizor si gjithë të tjerët. Por armiqësia dhe përbuzja e ndërsjellë mes kandidatëve shpërtheu përmes ekranit. Ishte e qartë se asnjëri nuk po mendonte as t’i jepte dorën tjetrit.
Demokratët ishin zhytur në një ndjenjë të rreme sigurie nga performanca e lartë dhe energjike e Biden-it në fjalimin e gjendjes së shtetit. Ata prisnin përsëri Supermenin. Në vend të kësaj ata morën Klark Kentin në pleqërinë e tij.
Kriza ishte e qartë thuajse sapo Biden hapi gojën. Zëri i tij ishte i ngjirur dhe i vështirë për t’u dëgjuar. Pastroje fytin, mor burrë! Ekipi i tij më vonë pretendoi se ai kishte një rrufë. Apo ishte mbipërgatitur?
Në fillim, ai tha: “Ne kemi 1000 bilionerë në Amerikë – dua të them miliarderë në Amerikë”. Pastaj: “…duke u siguruar që të mundemi të bëjmë çdo person të vetmuar të kualifikuar për atë që unë kam mundur të bëj me – me – me – me Covid-in. Më falni, duke u marrë me gjithçka që kemi…”
Zëri i tij u zbeh. “Dëgjoni, nëse – më në fund e mundëm Medicare.”
Trump tha: “Ai ka të drejtë. E mundi Medicare. E rrahu për vdekje.”
Trump është vetëm tre vjet më i ri, por është një krijesë e televizionit. Kur foli Biden, ish-presidenti, me flokët e ngritur mbi kokën e tij si një re me shkëlqim, u pa duke u vrenjtur, duke shtrënguar buzët ose duke u orvatur për një përgjigje. Por kur Trump foli, Biden flokëbardhë nguli sytë në distancën e afërt, me gojën hapur, e u duk po aq i dobët e i brishtë sa demokracia që tani qëndron mbi supet e tij.
Ishte një tragjedi greke, sepse ekipi elektoral i Biden-it e kërkoi me ngulm këtë debat, më të hershmin në histori, për të “tërhequr Trump-in në sallonet e ndenjjes së amerikanëve” dhe për t’i zgjuar ata para kërcënimit. U vendosën rregulla, duke përfshirë mikrofonat pa zë dhe pa audiencë në studio, që dukej se po funksiononin në avantazhin e kundërshtarit të tij.
Kufizimet e ndihmuan Trump-in të qëndronte relativisht i kontrolluar dhe i disiplinuar, të paktën sipas standardeve të tij të ulëta. Ai nuk bëri vazhdimisht ndërprerje siç bëri në debatin e parë në vitin 2020. Ai nuk luajti me publikun dhe nuk u rrëmbye me histori të palidhura për peshkaqenë.
Jo se Trump duhet të lihet i lirë. Ky ishte një debat i pashikueshëm mes një plaku që nuk arrinte të përfundonte një fjali dhe një plaku që nuk mund të thoshte të vërtetën. Ishte Rip Van Winkle kundër Pinokut.
Biden nuk arriti t’i zmbrapste gënjeshtrat e Trump-it. Por të njëjtën gjë bënë edhe moderatorët e CNN-it, Jake Tapper dhe Dana Bash. Kjo dha përshtypjen se gënjeshtrat e Trump-it kanë po aq peshë sa faktet e Biden-it, veçanërisht për shikuesit që sapo po azhurnohen me zgjedhjet. Prisni që demokratët ta përdorin këtë argument për të larguar vëmendjen nga dështimet e kandidatit të tyre.
Më shumë se një orë pas debatit, kur shumica e njerëzve kishin fikur televizorin e kishin shkuar në shtrat, kontrolluesi i fakteve të CNN-it, Daniel Dale, doli në transmetim dhe tha se Biden bëri nëntë pretendime të rreme ndërsa Trump bëri 30. Trump përfshiu disa shtete demokratike që dëshironin që njerëzit të ekzekutonin foshnjat pas lindjes; SHBA aktualisht ka deficitin më të madh buxhetor ndonjëherë; Biden merr shumë para nga Kina; asnjë sulm terrorist gjatë presidencës së Trump; Biden që dëshiron të katërfishojë taksat; SHBA-ja ofron më shumë ndihmë për Ukrainën sesa për Europën; Nancy Pelosi që refuzoi ofertën e Trump-it për 10,000 trupa të gardës kombëtare me 6 janar; “Mashtrimi qesharak” në zgjedhjet e 2020-ës; NATO do të mbyllej para se të bëhej president; Biden që e akuzon atë; ulja e tij e taksave është më e madhja në histori.
Përshtypjet e para – dhe klipet virale – janë gjithçka, kështu që votuesit do të harrojnë se, me vazhdimin e debatit, Biden gradualisht u bë më i fortë në stil dhe përmbajtje. Ai sulmoi karakterin e Trump-it: “I vetmi person në këtë skenë që është një kriminel i dënuar është ky njeri që po shikoj tani.”
I zemëruar dhe i xhindosur, Biden këmbënguli: “Djali im nuk ishte një dështak, nuk ishte idiot. Ti je idioti, ti je dështaku.”
Dhe përsëri: “Sa miliarda dollarë detyrohesh në dënime civile për ngacmimin e një gruaje në publik, për kryerjen e një sërë gjërash, për seksin me një yll porno natën – dhe kur gruaja jote ishte shtatzënë? Për çfarë po flet? Ti ke moralin e një maceje rruge”.
Trump ia ktheu: “Nuk kam bërë seks me një yll pornoje, e para”. Një fjali e pavdekshme, e pa shprehur kurrë në një debat presidencial. Gdhendeni në mermer!
Biden dhe Trump debatuan se cili prej tyre është presidenti më i keq në histori. Dhe cili është lojtar golfi më i mirë. Trump u mburr: “Sapo kam fituar dy kampionate klubesh, jo për të moshuarit, dy kampionate të rregullta klubesh. Për ta bërë këtë, ti duhet të jesh i zgjuar e të mund ta gjuash topin larg. Dhe unë e bëj këtë. Ai nuk e bën këtë. Ai nuk mund të godasë një top 40 metra. Ai më sfidoi në një ndeshje golfi. Nuk mund të godasë një top 40 metra.”
Biden u përgjigj: “Do të isha i lumtur të bëja një garë makinash me të. E çova handikapin tim, gjë që kur isha zv/president, në gjashtë. Dhe meqë ra fjala, ju thashë më parë se jam i lumtur të luaj golf nëse ti mban çantën tënde. Mendon se mund ta bësh?”
Trump: “Kjo është gënjeshtra më e madhe që ka handikap gjashtë.”
Biden: “Isha me handikap tetë.”
Trump: “Po.”
Biden: “Tetë, por unë kam – ti e dini sa …”
Trump: “E kam parë goditjen tënde, e di goditjen tënde.”
Ndërsa Bash u përpoq të ndërhynte, Trump tha: “Le të mos sillemi si fëmijë”. Biden u përgjigj: “Ti je fëmijë”.
Është e qartë se sapo mbaroi shfaqja horror, ishin surrogatët e Trump-it ata që vërshuan në qendrën e medias. Duke qëndruar në një tapet të kuq të ndezur në atë që zakonisht është një fushë basketbolli, ish-sekretari i strehimit Ben Carson tha për Biden-in: “Më vinte vërtet keq për të. Ai pati vështirësi për të gjetur përgjigje. Po përpiqej të kujtonte gjërat që i kishin thënë.”
Senatorja Lindsey Graham i Karolinës së Jugut tha: “Unë mendoj se presidenti Trump ishte i fortë dhe koherent dhe mendoj se presidenti Biden ishte i dobët dhe konfuz shumicën e kohës. Ai që nisi si një debat politikash është kthyer në një debat për aftësitë… Është shumë e vështirë të besohet se presidenti Biden mund ta vazhdojë këtë punë.”
Pas një kohe, u shfaqën zëvendësit e Biden-it, përfshirë guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom dhe buzëqeshjen e tij rrezatuese. Ka më pak gjasa që ai të jetë kandidati demokrat në nëntor. Por tani ka shumë më pak se më parë./Theguardian/
Burimi