Tensionet në Lindjen e Mesme – dy aeroplanmbajtëse amerikane do të qëndrojnë në gatishmëri

Tensionet në Lindjen e Mesme – dy aeroplanmbajtëse amerikane do të qëndrojnë në gatishmëri

Shefi i Pentagonit urdhëroi që dy aeroplanmbajtëse luftarake të vazhdojnë të qëndrojnë në Lindjen e Mesme, një ndryshim në planet e mëparshme të ushtrisë amerikane, njofton Zëri i Amerikës.
Shtetet e Bashkuara nuk ishin të përfshira në sulmet e së dielës, por ofruan informacione zbulimi rreth sulmeve të Hezbollahut, sipas një zyrtari të lartë amerikan.
Gjenerali amerikan C.Q. Brown, Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, arriti në Izrael të dielën si pjesë e një vizite rajonale që ka për synim parandalimin e përshkallëzimit të situatës. Ai pritet të takohet me zyrtarë të lartë ushtarakë izraelit.
Ndërkohë, grupi militant Hamas njoftoi se ka refuzuar kushtet e reja të Izraelit për armëpushim në Gazë.
Në një deklaratë për televizionin e Hamasit ‘Al-Aqsa TV’ të dielën, zyrtari i Hamasit, Osama Hamdan hodhi poshtë kushtëzimet e reja të Izraelit dhe tha se janë të rreme paralajmërimet mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje.
Udhëheqësi i grupit Hezbollah, Sayyed Hassan Nasrallah, tha të dielën se grupi i tij do të vlerësojnë ndikimin e sulmeve me raketa dhe dronë nga objektivave ushtarake izraelite para se të përcaktojnë nëse do t’i vazhdojnë sulmet.
Në një fjalim televiziv ai tha se Hezbollahu e kishte realizuar sulmin “sipas planit”, duke hedhur poshtë pretendimet e ushtrisë izraelite se sulmet e tyre parandaluese kishin frenuar një sulm më të gjerë.
Ai foli 12 orë pas shkëmbimit më të fortë të zjarrit ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut që nga fillimi i luftës në Gazë dhe tha se grupi militant qëllimisht nuk kishte vënë në shënjestër civilët dhe infrastrukturën publike, përfshirë aeroportin Ben Gurion. Nasrallah tha se objektivi kryesor i sulmit ishte një bazë ushtarake e zbulimit, që ndodhet 110 kilometra në brendësi të territorit izraelit.
Deri më tani ky është sulmi i vetëm që ka depërtuar kaq thellë në territorin izraelit dhe vetëm 1.5 kilometra larg Tel Avivit.
Burimi