‘Të jetosh me armikun fqinj’, banorët konfirmojnë: Ushtarët serb kanë hyrë këtej

‘Të jetosh me armikun fqinj’, banorët konfirmojnë: Ushtarët serb kanë hyrë këtej

Jeta në fshat nuk është e lehtë, sidomos nëse fshati gjendet në thellësi dhe në kufi me armikun. 

Përgjatë gjithë qëndrimit aty, grupi i xhirimit të A2 CNN nuk takoi asnjë banorë. Fshati duket i boshatisur edhe pse vendasit duket se rikthehen kohë pas kohe për të mirëmbajtur shtëpitë e tyre.

Në Miroc nuk ka këmbë njeriu jo vetëm për arsye socio-ekonomike, por siç do të kuptonim më pas e disa fshatra më tutje, edhe për arsye sigurie.

“Ata që kanë qenë në vijë kufitare disa familje është dashur të shpërngulen dhe nga atje të shkojnë në Podujevë, të lënë vendin e tyre”, thotë Nexhip Halimi, banor i fshatit Shtedim.

Nga Miroci lëvizim drejt Merdares. Lëmë rrugën dhe ecim malit për t’u afruar drejt vijës kufitare, aty ku banorët thonë se në disa raste i kanë hasur ushtarët serbë.

Një nga bazat ushtarake serbe është shumë pranë zonës ku afrohemi, por atë kohë gjithçka ishte e qetë. Gropa të mëdha për të parandaluar kontrabandën janë të hapura edhe në këtë pjesë ku ndahen kufijtë. 

“Në vijën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Kjo tabelë këtu mbrapa meje shënon edhe kufirin dhe një hap më tutje pas kësaj tabele jemi faktikisht në territorin serb”,rapozrton gazetari.

Largohemi nga vija kufitare dhe zbresim drejt fshatit ku janë edhe shtëpitë e para. Shtëpitë e reja tregojnë vendosmërinë e banorëve për t’iu rikthyer jetës pasi ato ishin shkatërruar gjatë luftës.

“Megjithëse këtu ka njerëz të cilët jetojnë dhe merren me blegtori dhe bujqësi nuk pranojnë të flasin para kamerës. Ata thonë se kohë më parë kishin vërejtur prozhektorë të mëdhenj drita e të cilëve vinte nga vija kufitare e Serbisë në drejtim të fshatit të tyre, ky fenomen nuk është vënë re”, thotë gazetari.

Pas Merdares, është fshati Shtedim. Banorët këtu, të pamësuar me vizita, tregojnë për përvojën e tyre se si është të jetohet me armikun komshi.

“Një kushëri duke i ruajtur lopët ata kishin ardhur diku 400 metra, kishin hyrë këtej, e kur i ka pa, ata janë larguar, kanë hyrë nëpër mal e kanë dal andej, ka qenë xhandarmëria e Serbisë”, thotë Nexhip Halimi, banor i fshatit Shtedim.

“Ushtarë kemi pa, tenkat aty janë, as 200 metra larg kufirit. Borovc thirret vendi aty. Ata rrinë aty prejse jemi kthyer në këtë vend këtu”, shprehet Jetullah Halimi, banor, fshati Shtedim.

Fshatarët thonë se shpesh organizohen në grup dhe lëvizin nëpër fshat për të kuptuar nëse ka ndonjë gjë të dyshimtë.

“Kufirin e kemi afër, vetëm që na dalim, e shohim vendin, a po luan ndonjë gjë, nuk flemë ashtu siç rehatohet dikush. Gjumin e qetë? Jo, e vëzhgojmë terrenin rregullisht a po luan ndonjë gjë se këtyre nuk iu besohet, nuk iu besohet hiç”, tregon Jetullahi.

“Janë shqetësuese, e dimë me kënd kemi punë, me xhandamërinë serbe, kërkush s’ju beson atyre”, thotë Nexhipi.

Lajmet që ushtria serbe afrohet te kufiri i Kosovës, apo ai i sulmit terrorist të Banjskës, kanë ngritur vigjilencën e fshatarëve.

“Ata munden sikurse atje që hyjnë në Banjaksa munden edhe këtu të hyjnë, edhe rrugët janë të mira, munden deri në fund të Shtedimit të shkojnë, natën nuk mund e dikton kërkush”, thotë Nexhip Halimi.

Pavarësisht shqetësimeve, fshatarët thonë se janë në shtëpitë e tyre dhe nuk kanë frikë.

“S’kemi kurrfarë frike, me pas frikë kisha thonë po, por nuk kemi kurrfarë frike prej tyre”, thotë Halit Halimi, banor, fshati Shtedim.

Banorët e fshatit Shtedim thonë se policia dhe KFOR-i patrullojnë vazhdimisht, edhe pse do të ndiheshin më të qetë nëse do të kishin një pikë të pëerheshme.

“Policia këtu 4-5 herë lëviz, gjithë natën edhe ditën, edhe KFOR 2-3 herë në ditë, natën, se i shoh. Çdo ditë në katin e dytë rreth 1 orë e gjysmë shoh nga fshati”, tregon Jetullah Halimi.

Edhe pse ndryshe nga Miroci dhe Merdare, në Shtedim ka më shumë banorë, kjo nuk mund të qëndrojë edhe gjatë.

Më shumë vihen re të moshuar, pasi të rinjtë ose janë larguar në drejtim të Podujevës apo Prishtinës ose edhe emigruar jashtë vendit, kryesisht në Gjermani e Zvicër. Pleqtë shprehen të vendosur të qëndrojnë në fshat por duan edhe ndihmën e shtetit.

“Ka qenë e nevojshme, duhet ta dinë edhe ata, se ne jemi të vjetër e të varfër, ne s’kemi ku shkojmë por duhet të kemi paratë, se mendjen nuk e kemi të largohemi nga këtu”, thotë Halit Halimi.

Fshatarët e Shtedimit urojnë për ditë më të mira për ta dhe vendin, por gjithmonë me një sy nga kufiri nga komshinjtë të cilëve nuk iu besojnë. 
Burimi