SYRI TV/ Shuhet poeti dhe autori i këngëve, Agim Doçi në moshën 76-vjeçare
Një lajm i trishtë ka tronditur mëngjesin e kësaj të hëne artin e kulturën shqiptare.
Autori i qindra teksteve të këngëve Agim Doçi, nuk arriti t’ia dilte kundrejt sëmundjes dhe të fitonte betejën e fundit. Doçi ka mbyllur sytë përgjithmonë në sallën e reaminacionit të QSUT-së, aty ku prej më shumë se 48 orësh luftoi për jetën që e deshi aq shumë.
Prej orëve të para të së shtunës 76-vjeçari ndodhej në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Poeti pësoi një goditje cerebrale, dhe duke qenë se nuk ishte hera e parë, gjendja shëndetësore e tij ishte tepër e rëndë. I cilësuar si një nga penat më të veçanta të poezisë e ndër mendjet më të ndritura, Agim Doçi u njoh për shpirtin e lirë e të pakompromistë. Ai qe kritikë dhe jetoi si bohem i vërtetë.
Agim Doçi lindi më 9 Maj 1948. U diplomua për Inxhinieri, megjithëse kishte një pasion të jashtëzakonshëm për letërsinë e të bukurën estetike. Krijues i më shumë se 3000 tekste të këngëve që janë kënduar nëpër festivalet shqiptare.
Poezia e tij u dallua për një lirizëm të thellë, për imazhet e plota dhe për figuracion të pasur. Me në qendër dashurinë e njeriun, Agim Doçi diti të ravijëzojë ndenjat më sublime në vargje, e qe gjithmonë fanatik i gjuhës shqipe. Mund të përmendim këngë shumë të njohura si “Marrshi i UCK-së”, “A vritet pafajsia”, që kanë qenë himn e të njohura nga çdo shqiptar. Nga vëllimet poetike më të njohura të tij janë: ‘Hajde dru me pre’, ‘Rrëzuar mbi vetminë’, ‘Rituali i kryqëzimit’.
Agim Doçi s’qe kurrë pro sistemeve që e kufizonin njeriun. Për rrjedhojë në vitin 1989 u dënua duke u caktuar të punojë me tre turne në fabriken e letër-kartonit. Një vit më vonë, autori u përfshi fuqimisht në lëvizjet e Dhjetorit 1990, me dëshirë për të rrokur lirinë e shumëkërkuar.
Kritikë ndaj institucioneve shtetërore sidomos për artin dhe kulturën, Agim Doçi qe shembulli më i mirë i intelektualit që luftoi deri ditën e fundit që zëri ti dëgjohej.
Për kontributin e tij të pashoq, Presidenti i ndjerë Bujar Nishani i dha titullin “Mjeshtër i Madh”. Largimi i poetit është thjeshtë fizik, ngase veprimtaria e tij do të gjallojë për sa kohë njerëzimi do t’u kthehet vargjeve dhe krijimeve të tij.
Burimi