Sulmohet ish-kryetari i ‘Listës Serbe’, Goran Rakiç përfundon në spital
Ish-kryetari i ‘Listës Serbe’, tashmë deputet në Parlamentin e Serbisë, Goran Rakiç, është rrahur mbrëmë brutalisht nga disa persona që dyshohet të jenë të ‘Civilna Zastita-s’.
Sipas burimeve të KosovaPress-it, ngjarja ka ndodhur mbrëmë pas mesnatës para hyrjes së banesës së tij në veri të Mitrovicës, ku dyshohet se personat kanë qenë duke e pritur.
“Njëri prej këtyre sulmuesve është Goran Vuceniq, vëllau i Vlladan Vuçeniq, të cilët njihen si pjesëtarë të Civilna Zastita-s, ndërsa ky i fundit akuzohet edhe për pjesëmarrje në grupin terrorist të Banjskës”, kanë thënë burimet, duke shtuar se gjithçka ndërlidhet me një mosmarrëveshje rreth parave në mes të Millan Radojçiçit dhe Rakiçit.
Burimet më tej vazhdojnë se Rakiç menjëherë pas incidentit është dërguar në spital ku ka marrë trajtimin e nevojshëm dhe tani është liruar dhe ndodhet në banesën e tij.
“Rasti nuk është raportuar në polici dhe po tentohet të mbahet në fshehtësi”, kanë thënë këto burime, duke shtuar se pas interesimit të hetuesve nga Policia e Kosovës për rastin, personeli i spitalit është detyruar megjithatë ta protokollojë rastin dhe ai tashmë figuron në librin spitalor.
KosovaPress-i ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, për të kuptuar më shumë rreth kësaj ngjarje të mbrëmshme, mirëpo ai tha se policia nuk ka informacion për këtë rast.
Burimi