Samiti i Klimës, Presidenti i Argjentinës tërheq delegacionin nga COP29
Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, ka urdhëruar delegacionin e vendit të tij që të tërhiqen nga Konferenca COP29 e OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Baku të Azerbajxhanit, sipas raporteve të mediave.
Delegatët që merrnin pjesë në samit u urdhëruan të pezullonin aktivitetet e tyre vetëm pas tre ditëve pjesëmarrje dhe të ktheheshin menjëherë në Buenos Aires, raportoi e përditshmja britanike “The Guardian”.
Milei e ka quajtur më parë krizën klimatike si një “gënjeshtër socialiste” dhe gjatë fushatës së tij zgjedhore të vitit 2023, ai kërcënoi me tërheqje nga Marrëveshja e Parisit.
COP29 filloi këtë javë në kryeqytetin e Azerbajxhanit dhe do të zgjasë deri më 22 nëntor.
Largimi i Argjentinës dhe qëndrimi i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, i cili në mënyrë të ngjashme e ka quajtur krizën klimatike një “mashtrim kinez” dhe u zotua t’i japë fund iniciativave të ekonomisë së gjelbër, ka lënë disa aktivistë të klimës të shqetësuar për përpjekjet për të kufizuar rritjen e temperaturës nën 1,5 gradë celsius.
Burimi