Sa e përhapur është autocensura në Turqi?
Ekspertët presin më shumë arrestime pas intervistave dhe shprehjes së mendimit të lirë në rrugë. Sipas tyre frika do të shtojë autocensurën në Turqi.Intervistat në rrugë janë shumë të përhapura në Turqi – por Turqia është një shoqëri ku opinionet nuk mund të shprehen lirisht kudo. Shumë njerëz kanë frikë të shprehen publikisht. Dilruba K., javën e kaluar në Izmir kritikoi qeverinë në një kanal në YouTube jo vetëm për bllokimin e Instagramit, por edhe për shpalljen e zisë kombëtare për ish-drejtuesin e Hamasit, Ismail Hanija.
“Nëse ne braktisim sistemin parlamentar në mesin e shekullit të 21-të dhe ia japim Republikën e Turqisë një njeriu të vetëm, ai mund ta përdorë atë si të ishte ferma e babait të tij”, tha ajo dhe kritikoi njerëzit që mendojnë se ndalimi i fjalës së lirë është e drejtë e shtetit: “Ju jeni budallenj sepse i dorëzoni të drejtat tuaja liberale një personi të vetëm dhe ate e shihni mbi vetë Zotin”. Ajo kritikoi zinë kombëtare me fjalët: “Pse duhet të ndihem i trishtuar kur ka vdekur ndonjë arab? Kjo nuk më intereson fare”.
“Nxitje e popullit dhe fyerje e presidentit”
Këto fjalë mjaftuan që ajo të arrestohej javën e kaluar me akuzën për nxitjen e kryengritjes dhe fyerje ndaj presidentit. Ajo u lirua nga akuza e dytë më 20 gusht – por mbetet në paraburgim, sipas akuzës së parë dhe më 3 shtator do të dalë në gjykatë. Aktakuza u përgatit jashtëzakonisht shpejt. Në mbrojtjen e saj ajo tha: “Në intervistën time nuk kam sulmuar asnjë institucion shtetëror dhe asnjë person. Kur kam folur nuk kam pasur parasysh presidentin apo ndonjë person tjetër”. Ajo kërkoi falje “nëse është kuptuar gabimisht”.
Veysel Ok është një avokat, i cili deri tani ka mbrojtur shumë gazetarë, duke përfshirë korrespondentin e “Welt”, Deniz Yücel, i cili u burgos në Turqi për disa muaj në 2017 dhe 2018 për “propagandë terroriste”. Ai thekson se ndalimi i Dilruba K. ka qenë i paligjshëm. “Mund të ndodhë që dikujt të mos i pëlqejë fare ajo që thotë. Por: E gjithë kjo duhet parë në kuadrin e lirisë së shprehjes. Të gjitha hapat ligjore të ndërmarra deri më tani nuk kanë asnjë bazë ligjore”, kritikon Ok.
Edhe një deputet i shquar i partisë AKP në pushtet ndan këtë mendim: “Unë e dënoj atë që tha kjo grua, madje jam i inatosur, sepse i tha këto gjëra. Por si studiues juridik, më duhet të them arrestimi nuk është i drejtë, këtu nuk ka diskutim”, thotë Mücahit Birinci. Ju duhet të jeni të drejtë edhe ndaj personit ndaj të cilit ndiheni të zemëruar, thotë Birinci në X.
Vetëmbrojtje në vend të shtetit ligjor
Sipas kritikëve, ky vendim ka për synim mbijetesën e pushtetarëve. “Kriminelët pranë qeverisë shpërblehen me pafajësi, ndërsa ata që shprehin mendimet e tyre kritike dënohen. Kjo tregon se sistemi ligjor turk nuk është më një sistem ligjor, por një mekanizëm absolut mbrojtës për veprimet dhe deklaratat e qeverisë”, tha Ok.
Ngjashëm mendon edhe politologu Berk Esen nga Universiteti Sabanci. “Dikur ka pasur disa vija të kuqe për shtetin turk – si islamizmi apo gjenocidi armen”, thotë ai. “Por ju keni mundur të kritikoni gjithçka dhe këdo që dëshironi – duke përfshirë partinë në pushtet, presidentin, kryeministrin. Sot nuk ka më vija të kuqe si dikur. Vija e vetme e kuqe është ruajtja e elitës në pushtet, sepse Qeveria është ajo që përcakton sot kufijtë e lirisë së shprehjes. Ajo kufizon çdo opinion që, sipas saj, mund të rrezikojë ekzistencën e saj”, thotë Esen.
Qëllimi – frikësimi
Sipas vëzhguesve, veprimet e qeverisë po frikësojnë miliona njerëz. “Ky arrestim është një përpjekje për t’i heshtur ata që mendojnë ndryshe. Shteti po dërgon mesazhin se njerëzit duhet të mbyllin gojën,” tha Hüseyin Yıldız, avokati i Dilruba K.
Esen dyshon se arrestimi mund të ketë një funksion parandalues në të ardhmen. “Shumë njerëz që më parë shprehnin mendimet e tyre lirisht në rrugë, tani do të censurojnë veten. Ajo që po bën qeveria nuk është vetëm arrestimi i një personi, por kufizimi i të gjithëve.”
Nga këndvështrimi i Ok, qeveria do të vazhdojë me përpjekjet për shtypjen e zërave kritikë. “Qeveria dëshiron të ndalojë të gjitha ankesat në rrugë,” tha Ok. Vendi është në fillimin e një vale të re kufizimesh në lirinë e shprehjes: “Dilruba K. nuk është as e para dhe as e fundit. Ajo është një nga shumë personat që janë sot në burg në Turqi për shprehjen e lirë të mendimeve të tyre. Kështu që ky është vetëm fillimi. Do të kemi shumë raste të tilla në të ardhmen, kur personat do të arrestohen pas një interviste në rrugë.”/ DW
Burimi