Rirritja e dhëmbëve është e mundur dhe mund të ndryshojë të ardhmen e Stomatologjisë
Për të rriturit e një moshe të caktuar, reklamat për implante dentare shfaqen kudo. Por çmimi, që mund të arrijë mijëra dollarë për një dhëmbë të vetëm, mund të jetë për shumë njerëz një barrë e madhe financiare.
Po sikur ata të mund t’i rrisnin përsëri dhëmbët e tyre, ndoshta me një kosto shumë më të ulët?
Metodat që zëvendësojnë, në vend që të riparojnë, dhëmbët me kurora ose mbushje mund të jenë më afër se sa mendoni. Shkencëtarët kanë eksploruar disa metoda gjatë dekadave të fundit, përfshirë ilaçet me bazë ARN-je, terapinë me qeliza staminale dhe rigjenerimin mineral.
Ideja e rirritjes së dhëmbëve nuk është aq e largët, sepse njerëzit dikur kishin aftësinë të rrisnin një grup të tretë dhëmbësh. Katsu Takahashi, një studiues në Osaka, po udhëheq një ekip për ta bërë pikërisht këtë.
Premisa e tyre bazohet në idenë se njerëzit ende kanë në organizëm bazat e nevojshme për të rritur atë grup të tretë dhëmbësh. Problemi është një molekulë e quajtur USAG-1, e cila pengon rritjen dhe duket se kontrollon numrin e dhëmbëve që ka një i rritur.
Në vitin 2023, grupi kërkimor i Takahashit njoftoi se kishte zhvilluar një ilaç për ta çaktivizuar këtë molekulë. Qasja përfshin përdorimin e ARN-së për të administruar antitrupa kundër USAG-1.
Ekipi ka treguar se ky ilaç funksionon te kafshët. Tani ai po testohet te njerëzit. Nëse këto prova klinike e konfirmojnë si të sigurt dhe efektiv, ai mund të bëhet gjerësisht i disponueshëm deri në vitin 2030.
Qelizat staminale duken si një metodë premtuese, sepse janë pluripotente, që do të thotë se një qelizë më e përgjithshme mund të prodhojë qeliza më specifike. Truku është kontrollimi i llojit dhe sasisë së qelizave të duhura që mund të prodhohen nga një qelizë staminale.
Një ekip nga Shkolla e Stomatologjisë në Universitetin e Uashingtonit, në vitin 2023, demonstroi në laborator një provë koncepti. Ata krijuan organoide nga qelizat burimore që sekretojnë proteinat që më pas formojnë smaltin e dhëmbëve.
Mund të jetë e mundur që dhëmbët të riparohen me këtë metodë. Ekipi parashikon ta përdorë atë si një mbushje të gjallë, e cila do të rigjeneronte hapësirën e formuar nga një kavitet.
Një qasje e ngjashme mbështetet në riparimin e smaltit, por duke rritur minerale, në vend të qelizave të gjalla. Në vitin 2019, një ekip tregoi se kjo ishte e mundur, duke prodhuar kimikisht një xhel që përmban fosfat kalciumi, një përbërës kyç i smaltit.
Pasi krijuan përzierjen, shkencëtarët nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit Zhejiang në Kinë e aplikuan atë në mostra dhëmbësh të dëmtuar. Sipas grupit, xheli formoi një shtresë smalti me trashësi tre mikrometra.
Edhe pse asnjë nga këto metoda ende nuk është komercializuar dhe nuk mund të gjendet në klinikën tuaj dentare lokale, potenciali i tyre për të riparuar ose rritur përsëri dhëmbët e dëmtuar duhet t’ju japë një arsye për të buzëqeshur. / Discover Magazine – Syri.net
Burimi