‘Riaktualizohet’ ideja për hapjen e burgut të grave në Strugë

‘Riaktualizohet’ ideja për hapjen e burgut të grave në Strugë

Ideja për hapjen e një reparti për gra në Shtëpinë ndëshkuese përmirësuese të tipit të hapur në Strugë është riaktualizuar gjatë vizitës së djeshme të ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov dhe takimit me drejtuesit e burgut

Sipas ministrit dikasterial i gjithë departamenti i grave nga burgu në Idrizovë do të transferohej në burgun e Strugës, ndërsa të burgosurit nga Struga do të transferoheshin në një burg tjetër.

“Si ide është hedhur kohë më parë. Shpresojmë se do të gjejmë në mbështetje nga të gjithë partnerët dhe do të mund ta realizojmë së shpejti. Sapo të merremi vesh me të gjithë partnerët e koalicionit”, theksoi Filkov.

Lidhur me gjendjen e burgut të Strugës, ai theksoi se të gjitha burgjet duhet të rinovohen.

“Kudo duhet rinovuar. Pra në asnjë burg të vendit situata nuk është e mirë. Kudo që shkojmë shohim të njëjtën gjë, pra nuk është investuar për dekada. Kemi rënë dakord që të përgatisim projekt për të filluar dhe pastaj do të dimë se sa duhet të jetë vlera”, ka thënë Filkov.

Drejtori i burgut të Strugës, Ardit Mustafai tha se burgu ka kapacitet për t’u ripërshtatur në burg për gra dhe se duhet të përmirësohen kushtet.

“Kemi kapacitet mjaftueshëm. Mendoj se duhet pak ndërhyrje, rinovim dhe vullnet politik që të ndryshohet Ligji për ta realizuar idenë. Kapacitetet duhet të rriten. Aktualisht kemi kapacitet deri në 60 dhe mund të kemi deri në 70 apo 80 shtretër nëse bëjmë disa intervenime”, ka thënë Mustafai.

Ai konsideron se realizimi i idesë që burgu të bëhet për femra është mirë për Strugën.

“Vendndodhja e burgut, fakti që është afër qytetit do t’u japë mundësinë grave që të shfrytëzojnë të gjitha favoret për të punuar në qytet me qëllim për t’u risocializuar”, tha drejtori Mustafai.

Situata financiare e institucionit theksoi se nuk është e mirë dhe se nevojitet më shumë mbështetje financiare.

 
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente